Prindërit e të ndjerit, Astrit Dehari, tërë përgjegjësinë për vdekjen e djalit të tyre ua hedhin institucioneve të vendit dhe autoriteteve të burgut, aty ku gjeti vdekjen Astrit Dehari.
Ata besojnë se djali i tyre nuk u vetëvra, por u vra në burg.
Avni Dehari, babai i të ndjerit Astrit Dehari, beson që pas kthimit të eksperizën për vdekjen e djalit të tij, drejtësia do të gjejë vendin e vet.
“Sot mbushen dy vite qe na mungon Astriti, dhe mungesën e tij e ndjejmë edhe si prind edhe si familjarë. Drejtësia ende nuk ka ardhë ne vend, dhe presim që pas kësaj ekspertize drejtësia ta gjej vendin e vet. Ne e kemi të qartë çfarë ka ndodhur me Astritin, për neve është shumë e qartë që vdekja e Astrtit nuk është vdekje natyrale, por duhet të dëgjohet edhe fjala e eksperteve”, ka thënë Avni Dehari, raporton Ekonomia Online.
Ai thotë se e tërë përgjegjësia u mbetet institucioneve dhe autoriteteve të burgut, ngase siç tha ai vdekja e Astritit ka ndodhur në dorën e tyre.
“Po përderisa ai ka qenë në burg, autoriteteve të burgut dhe institucioneve iu mbetet përgjegjësia në dorën e tyre ka vdekur Astritit”, është shprehur ai.
E, Xhemile Dehari, nëna e Astrit Deharit, thotë djali i saj nuk ka bërë vetëvrasje . Sipas saj, Astriti u vra në burg.
“Vdekja e Astritit nuk ka qenë e natyrshme, dje dy vite ne e kemi vizituar Astritin, dhe pastaj të vijë lajmi që ka vdekur, nuk është korrekte. Nëse ai do të kishte vdekur në shtëpi ne do të kishim dhënë përgjigje, por ai ka vdekur në duart e institucioneve”, është shprehur nëna e Astritit.
“Kanë dalë shume rezultate që Astriti nuk ka pas asgjë. Ne besojmë në ekspertizë, por për ne është shume e qartë që Astritin e kanë mbytë në burg”.
Astrit Dehari ka vdekur para dy vitesh në burgun e Prizrenit në rrethana ende të pandriçuara .