Flasin pronarët e bastores ku gjilanasi humbi 10 mijë euro

Prishtinë | 07 Qer 2018 | 17:32 | Nga

Provoi fatin në lojërat që jo gjithmonë sjellin fat. Rrezikoi të luante me para të pazarit ditor të bastores sportive. Filloi bastin me një shumë prej 700 eurosh. Humbja shkoi duke u rritur deri në 10 mijë euro, në mënyrë elektronike, pikërisht në bastoren ku punonte.

Pas tërë këtij rreziku mbi supe, fati nuk doli të jetë në anën e tij. Kur e kuptoi se humbi paratë, gjilanasi doli nga vendi i punës, duke menduar më të keqen për veten e tij. Për dy ditë familjarët nuk dinin asgjë për vendndodhjen e tij, derisa u gjet të premten pa vetëdije në qytetin e Ferizajt. Shumë nga banorët e qytetit të vogël të Gjilanit kishin dëgjuar për ngjarjen, megjithatë të gjithë e përshkruanin si djalë të mirë e punëtor

Mendimin e njëjtë e ka edhe ish-shefi i tij, pasi ai tanimë ka ndërprerë punën në bastoren ku punoi për rreth 3 vjet. Gazeta Express ka biseduar sot me pronarin e bastores ku ka ndodhur ky rast.  G.T, ende nuk është takuar me punëtorin, i cili, përveç 10 mijë eurove, thotë se ia ka borxh edhe afër 3 mijë euro të tjera për një rast pak a shumë të ngjashëm si ky.

G.T., nuk e ka takuar ende punëtorin që ia humbi 10 mijë euro,  thotë se për të fillimisht është e rëndësishme gjendja e tij.

“Askush nuk i ka bë presion, për neve u kanë me rendësi që ai mu gjet dhe ka qenë një ndër punëtorët më të mirë. Shumë është djalë i mirë”, thotë G.T.

Policia kishte deklaruar se viktima, pasi i ka humbur paratë në bastore, nga depresioni ishte larguar nga shtëpia. Familjarët e kishin raportuar si të zhdukur në polici, ndërsa të premten ishte gjetur pa vetëdije në Ferizaj. Më pas i ishte ofruar edhe ndihma mjekësore.

Familjarët e tij thanë se gjendja se tij është e mirë. Mirëpo, ata kanë vendosur të mos prononcohen për rastin. Me kërkesë të tyre nuk do të publikohet as emri i tij.

“Nuk duam me bë më shumë publike, e ka lan punën. Ai për momentin mirë është”, tha shkurt motra e tij.

Edhe G.T. thotë se ka dëgjuar se gjendja e ish-punëtorit të tij është e mirë, ndërsa ende nuk e ka takuar për të biseduar lidhur me rastin pasi thotë se nuk dëshiron t’i bëjë presion.

Nuk e ka thirr më askush nuk i ka bo presion sa i përket anës tonë se kemi taku ende. Edhe pak nuk do të takohemi”, thotë G.T.

Sidoqoftë, viktima ka deklaruar se pasi kishte luajtur dhe humbur në  lojëra të fatit shumën prej 10.000 (dhjetë mijë) €, nga depresioni ishte larguar nga shtëpia.

“Viktima pa ndjenja është takuar nga qytetarët në një rrugë të Ferizajt, ku edhe ka marrë tretman mjekësor në spitalin rajonal Ferizaj. Pas intervistimit, me vendimin e Prokurorit, rasti mbyllet me raport të veçantë”, kishte njoftuar policia.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme