Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, ka komentuar vendimin politik të Partisë Demokratike për djegien e mandateve.
Në përgjigjen e tij për Top Channel, Fleckenstein thekson se “kjo nuk është hera e parë që ne përballemi me një situatë të tillë, me opozitën shqiptare që kërkon të heqë dorë nga detyra e saj në Kuvend”.
Për të vijuar më tej, Fleckenstein shkruan se asgjë nuk ka ndryshuar në këto pesë vite në lidhje me këtë taktikë, shkruan Top Channel.
Por, ai këmbëngul dhe thekson faktin që “është detyra e opozitës, brenda Parlamentit apo – nëse e sheh të arsyeshme – edhe jashtë Parlamentit, të ofrojë një alternativë politike për qeverisjen e vendit”.
Sa i përket dorëzimit të mandateve, politikani gjerman shprehet se “është në dorën e gjithsecilit prej deputetëve, për të vendosur nëse duan apo jo të heqin dorë nga mandati që u ka dhënë populli”.