Situata e shkaktuar nga zjarri në komunën e Suharekës është përkeqësuar, pasi zjarri ka përfshirë 5 vatra, ndërsa nuk ka ekipe të mjaftueshme të zjarrfikësve.
Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, ka deklaruar për Reporteri.net se gjendja është e rëndë, ndërsa tregon se për të sanuar gjendjen në teren kanë dalë edhe qytetarët.
Ai bënë të ditur se të gjitha ekipet e zjarrfikësve janë në teren.
“Gjendja është e rëndë, jemi në teren momentalisht me krejt ekipet e zjarrfikësve. Kemi zjarr në Gjinovc, në Studenqan, në Bukosh, në Zonë Industriale e në Reqan, kështu që jemi duke e bërë maksimumin”, ka deklaruar Muharremaj.
Ai thotë se në teren janë 12 zjarrfikës, tre ndërrime me nga 3 zjarrfikës.
“Janë gjithsej 12 zjarrëfikës, edhe unë jam në terren bashkë me ta dhe qytetarë, po mundohemi sadopak ta ndalim zjarrin, nuk kemi çka të bëjmë më shumë”, ka thënë ai.
Muharremaj tha se ka biseduar dje me kryeministrin Albin Kurti dhe sot pret që në Suharekë të shkojë edhe ministri i FSK-së, Armend Mehaj. /Reporteri.net/.