Në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, momentalisht janë vendosur rreth 500 persona në karantinë të cilët do të qëndrojnë për 14 ditë të izoluar.
Megjithëse Qeveia e Kosovës kishte deklaruar se konviktet janë bërë gati për të gjithë personat që do të akomodohen aty, nuk kanë munguar ankesat nga të vendosurit për mungesë të kushteve elementare.
Në adresën e Periskopit, një person që po qëndron në Konvikt, ka dërguar një video ku tregon gjendjen e tmerrshme në të cilën ndodhet dhoma në të cilën është i vendosur me familje.
I izoluari thotë se përkundër lutjeve që ia ka bërë Ministrisë së Shëndetësisë për të ia siguruar një batanije kundër bakterieve për vajzën e vogël e cila vuan nga alergjia, thirrjet e tij kanë përfunduar në vesh të shurdhër.
‘’Kemi bërë shumë apel tek Ministria e Shëndetësisë por nuk më janë përgjigjur. Gjithashtu, tek MSH kam bërë kërkesë që të më sjellin një batanije kundër bakterieve të cilën vajza e ka të sugjeruar edhe nga mjeku sepse ajo është e sëmurë nga alergjia e cila nuk mundet kurrsesi të qëndroj në ambiente të papastërta, por nuk e kanë sjellë’’, dëgjohet duke thënë i izoluari.
Të vendosurit në karantinë në Qendrën e Studentëve që nga dita e parë janë ankuar për mungesë të kushteve elementare.
Deri tani në Qendrën e Studentëve janë vendosur 500 persona në karantinë, ndërsa janë edhe 50 vende të lira, ndërkaq për momentin asnjë i karantinuar nuk ka simptoma të koronavirusit.