Familja Binakaj ka hapur dyert për të pame dhe është duke pritur trupat e pajetë të Valentina Binakaj dhe Erlinda Binakaj që vdiqën ditë më parë në aksidentin që ndodhi në Kroaci.
Trupi i 45 vjeçares Valentina Binakaj dhe i bijës së saj 18 vjeçare Erlinda Binakaj pritet që së shpejti të arrijnë në Kosovë, ku pastaj do të kryhen edhe procedurat e varrimit.
Njëri nga të mbijetuarit e këtij aksidenti tragjik që ndodhi mëngjesin e të dielës në Slavonski Brod të Kroacisë, Fatjon Binakaj, ka folur për atë që ka ndodhur.
Ai ka thënë se jetën ia ka shpëtuar një djalë 16 vjeçar që e ka nxjerrë nga autobusi.
“Mas 20 minutave që kemi fjet e kam një piskamë edhe ka ra autobusi. Një djalë 16 vjeçar më ka shpëtuar jetën, më ka nxjerrë prej autobusi e mas 20 minutave më ka ardhë vetëdija”.
“Unë nuk kam marrë lëndime shqyqyr prej Zotit, më kanë ba fotografime po mirë jam kanë”, ka deklaruar ai për T7.