Një përplasje për pronësinë e një parcele në Gjakovë u raportua si e dyshimtë për ndërhyrje të jashtëligjshme dhe keqpërdorim të pozitës nga një zyrtar i Policisë së Kosovës.
Bëhet fjalë për një rast që është denoncuar gjatë ditës së sotme dhe që përfshin rrethimin e një parkingu të një restoranti të njohur në qytet. Klankosova.tv ka siguruar versionin e policit në fjalë dhe sjellë detajet e rastit.
Fillimisht, siç raportoi Sinjali, sipas Bajram Januzit, pronari i restorantit në fjalë tha se zyrtari policor, Besim Jasiqi, ka ndërhyrë në mënyrë të kundërligjshme në dy parcela që përbëjnë parkingun e lokalit të tij, pavarësisht se toka ndodhet në proces kontesti civil në gjykatë.
Januzi ka deklaruar se rrethimi është bërë pa bazë ligjore dhe në kundërshtim të plotë me procedurat e pronësisë.
Klankosova.tv ka kontaktuar me zyrtarin policor Besim Jasiqi, i cili ka mohuar kategorikisht akuzat dhe i ka cilësuar si të pabazuara.
Ai pretendon se parcela është në pronësi të tij dhe se e ka blerë në mënyrë të ligjshme.
“Akuzat e pronarit të lokalit dhe të një media janë të pabaza, pasi unë e kam kontratën e blerjes dhe pagesën e blerjes ia kam bërë nëpërmjet bankës. Pra, ajo që po pretendon pronari i lokalit është shpifje, pasi ajo është pronë e imja private, e blerë vitin e kaluar”, tha ai.
Ai gjithashtu ka theksuar se kontesti gjyqësor, për të cilin flet Januzi, nuk e përfshin atë drejtpërdrejt, por është ngritur ndaj pronarit të mëhershëm të tokës.
Sipas tij, nuk ka pasur asnjë thirrje nga gjykata dhe veprimet e tij janë të mbështetura me dokumentacion zyrtar.
“Si dëshmi kërkoj prej organeve kompetente që të dalin në vendin e ngjarjes dhe ta bëjnë verifikimin e pronës. Kontest gjyqësor i kanë bërë pronarit më herët që e ka pasur tokën. Kurrë gjykata mua nuk më ka thirr për këtë pronë”, tha Jasiqi.
Sa i përket akuzave për provokim ndaj Januzit, Jasiqi i ka mohuar ato duke theksuar se pronari i restorantit as nuk ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes gjatë rrethimit.
“Nuk e di pse është e jashtëligjshme, kur është pronë e imja. As që ka qenë aty, lëre më ta provokojë. S’ka qenë ai prezent as ndonjë anëtar i familjes, asnjë person nuk ka qenë”, tha ai për Klankosova.tv.
Klan Kosova ka arritur të sigurojë edhe kontratën e shitblerjes së parcelës nga ana e Jasiqit, e cila mbetet pika kyçe e rastit.