Flet prindi i të plagosurit në Klinë: Djali jem u godit nga plumbi rastësisht, nuk ishim të përfshirë në ngatërresë

Prishtinë | 18 Maj 2022 | 16:32 | Nga Ekonomia Online

Sot rreth orës 13:40 në qytetin e Klinës u dëgjuan të shtëna me armë zjarri, ku si pasojë dy persona mbetën të plagosur. Të lënduarit janë dërguar në spital për trajtim, ndërkohë që Sinjali ka zbuluar detaje të reja se si ndodhi rasti, ku gjithçka ndodhi pas një fjalosje qe u shkaktua në zyrën e një avokati.

Zafer Gashi, prindi i njërit prej të plagosurve, tha për Sinjali se ata kanë qëlluar rastësisht në një fjalosje me familjen Daka.

Sipas tij, plumbi e ka goditur gabimisht djalin e tij, Fitimin.

“Ne kemi qëllu rastësisht në një fjalosje edhe plumbi ka ra gabimisht, fatkeqësisht, pa dashje te ky djali jem. Kaq” tha ai.

Gashi po ashtu bëri të ditur se gjendja shëndetësore e djalit të tij është duke u përmirësuar dhe shpejt pritet operimi i tij.

“Gjendja shëndetësore e djalit është në përmirësim. Pritet me e nis për Prishtinë me e ba një incizim për me mujtë me hi në operacion me ia heq plumbin se i ka mbetë në kambë”, shtoi Gashi.

Por si ndodhi e gjithë ngjarja

Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se gjithçka ndodhi pas një fjalosje qe u shkaktua në zyrën e një avokati.

Fillimisht, burimet thonë se pjesëtarë të familjes Gashi dhe një shtetas serb kanë qenë te avokati në fjalë, para se të arrinte edhe familja tjetër, Daka, kur edhe eskaloi përleshja në përdorimin e armës.

Sipas informatave të para, familja Daka, që merret me shitjen dhe blerjen e pronave të ndryshme, nisi një zënkë me avokatin, te i cili kishin shkuar.

Për të mos u përshkallëzuar situata, Sinjali mëson se familja Gashi kishte ndërhyrë që të qetësonte gjakrat, por ndodhi e kundërta.

Një pjesëtar i familjes Daka dyshohet se ka plagosur me armë zjarri një anëtar të familjes Gashi, duke i shkaktuar lëndime trupore. Për të mos mbaruar me kaq, edhe një anëtar i familjes Daka ka pësuar plagë nga arma e zjarrit, por qe ende nuk dihet se a është shkrepur vetëm nga një revole.

Burimet e Sinjalit brenda Spitalit të Pejës, ku janë dërguar të lënduarit, kanë bërë të ditur se mjekët janë duke intervenuar dhe se dy personat e plagosur nuk janë në rrezik për jetën.

Lidhur me rastin janë deklaruar edhe nga Policia.

“Rreth orës 13:40 policia është informuar se ka të shtëna me armë zjarri në Klinë, policia ka dal në vendin e ngjarjes ku kanë takuar një person të plagosur. I plagosuri i dytë është dërguar në spital në Pejë…Në vendin e ngjarjes kanë dalë policia”, tha Rugova për Sinjalin.

Sinjali do të ju mbajë të informuar për zhvillimet e reja.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme