Hansi Flick i ka lartësuar lojtarët e tij pas paraqitjes së jashtëzakonshme që e bënë kundër Real Madridit mbrëmë në finale të Superkupës së Spanjës.
Gjiganti katalunas fitoi me rezultat të thellë, 5:2 në ndeshjen e zhvilluar në Arabinë Saudite.
Për trajnerin gjerman ky ishte trofeu i parë që kur kishte arritur verën e kaluar në Kataluni, ndërsa tha se lojtarët e tij e bënë një ndeshje të madhe.
“Kjo skuadër është e jashtëzakonshme, më duhet t’i përgëzoj lojtarët për paraqitjen. Kemi mbetur të bashkuar, jemi mbrojtur dhe kemi sulmuar së bashku. Ky ishte çelësi sonte. Objektiv yni është të mësojmë në çdo ndeshje dhe të përmirësohemi çdo ditë e më shumë”, deklaroi fillimisht Flick në konferencë për shtyp.
Barça luajti gjysmë ore pa një lojtar pas ndëshkimit me karton të kuq të portierit Wojciech Szczęsny.
E përkundër kësaj, djelmoshat e trajnerit gjerman e administruan dhe e menaxhuan mjaft mirë avantazhin e krijuar duke fituar në fund me plot meritë.
“Jam vërtet krenar. Objektiv i klubeve të mëdha është që të fitojnë trofe dhe ne punojmë shumë për të arritur deri tek trofeu. Tash duhet ta demonstrojmë këtë në çdo ndeshje, se sa jemi të fortë”, përfundoi Flick.