Sulmuesi kosovar Florian Kamberi ia ka siguruar skuadrës së Hibernianit fitoren në ndeshjen kampionale kundër Hamiltonit, të zhvilluar të martën mbrëma në kuadër të xhiros së 32-të të kampionatit skocez.
Kamberi shënoi “hat-trick” në triumfin 3:1 dhe luajti tërë ndeshjen për Hibernianin, që është forcuar në pozitën e katërt në tabelë me 58 pikë të tubuara. Ai një gol shënoi në pjesëlojën e parë (17′), kurse dy të tjerët në të dytën (63′, 85′), transmeton Koha Ditore.
Kamberi, 23-vjeçar, ka arritur në kuotën e gjashtë golave pas tetë paraqitjeve kampionale në Skoci. Të mërkurën për mediumet skoceze ka thënë se shpreson të vazhdojë me këtë formë, pasi Hiberniani po lufton për pozitën e dytë në tabelë që edicionin tjetër siguron pjesëmarrjen në garat evropiane.