Pas rritjes së çmimit të bukës dhe produkteve të tjera ushqimore janë shtrenjtuar më tej edhe çmimet e karburanteve në vend për të disatën herë radhazi brenda një periudhe të shkurtër kohe.
Rritja e çmimeve është vënë re për të gjitha llojet e karburanteve. Në pikat e tregtimit të karburanteve nafta dhe benzina po shiten me rreth 8 lekë më shumë se një javë më parë. Çmimi për një litër naftë ka arritur në 177 lekë (1,46 Euro), nga 161 lekë (1,33 Euro) që tregtohej pak ditë më parë, teksa një litër benzinë tregtohet për gati 179 lekë(1.48 Euro).
Konsumatorët po paguajnë më shtrenjtë edhe për çmimin e gazit pasi në pikat e karburanteve shitet nga 76 deri në 89 lekë (0,74 Euro), duke parë një rritje të fortë me gati 17 lekë krahasuar me një javë më parë.
Por, cilët janë faktorët që kanë sjellë shtrenjtimin e fortë të karburanteve në vend?
“Ka një problem global sa i përket ndryshimeve të çmimeve, pandemia ka dhënë ndikimin kryesor në rritjen e çmimit të lëndëve të para me hapjen e ekonomisë.. Në Shqipëri rritja është më e fortë dhe ndjehet më shumë dhe kjo vjen si pasojë e mungesës së institucioneve, sidomos te nafta. Menjëherë pas lëvizjeve në bursë, reflektohet në vend pasi kompanitë nuk mbajnë stok të mjaftueshëm dhe justifikojnë rritjen me ndryshimet në bursë”, tha eksperti për ekonominë, Vjoldi Danaj.
Ekspertët bëjnë apel për forcim të kontrollit ndaj tregut të karburanteve pasi çmimet e tyre po bëhen gjithnjë e më të papërballueshme nga konsumatorët.
“Kjo rritje çmimesh është e papërballueshme nga konsumatorët kur e paguajnë naftën më shtrenjtë se në rajon e vende të Europës. Kompanitë duhet të krijojnë stokun rezervë për një periudhë 3-mujore, të sigurisë për të amortizuar luhatjet në bursa si dhe vendosja e një çmimi tavan nga autoritete. Kjo rritje çmimesh është e papërballueshme nga konsumatorët kur e paguajnë naftën më shtrenjtë se në rajon e vende të Europës.”
Në fillim të pandemisë në mars të vitit të shkuar nafta zbriti në 150 lekë për litër. Por, që prej shkurtit 2021 e deri më tani çmimet janë rritur me shpejtësi me thuajse 27 lekë më shumë.
Burimi Top Channel