FOL kërkon hetim në rastin Nuhi Uka dhe të tjerët

Prishtinë | 21 Tet 2016 | 18:58 | Nga

Gjykata Themelore në Prizren sot ka marrë vendim për lirimin e ish gjyqtarit Nuhi Uka për akuzat për krim të organizuar dhe korrupsion. Vendimi është marrur mbi bazën që aktakuzat ndaj Nuhi Uka-jt dhe të tjerëve janë vjetëruar si pasojë e neglizhencës së gjyqtarëve të rastit në fjalë.

Ky vendim, për FOL është një sulm mbi parimet e funksionimit të sistemit të drejtësisë si dhe është tregues se lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar vazhdon të mbetet retorikë.

Vendimi për ish gjyqtarin Uka dhe të tjerët, është treguesi i qartë se drejtësia dhe vendimet e saj, janë nën kërcënimin e grupeve të organizuara kriminale. Janë vendime që hapur tregojnë ndikimin e politikës dhe rrjeteve të tyre kriminale mbi sistemin e drejtësisë. Po ashtu, është mesazh i rrezikshëm se grupet kriminale mund të ndikojnë mbi vendimet e gjyqtarëve.

Për më tepër, vendimi i Gjykatës së Prizrenit cënon gjyqtarët dhe prokurorët profesional që punën e bëjnë me integritet të lartë.

Prandaj, duke parë që vonesat në trajtimin e lëndëve po dërgojnë në parashkrimin e tyre, dhe duke parë se parashkrimi po përdoret si faktor përcaktues për t’iu ikur dënimeve në shumë raste të korrupsionit dhe krimit të organizuar:

FOL kërkon nga Prokuroria e Shtetit që të niset një hetim i menjëhershëm, ndaj grupit të gjyqtarëve që kanë marrë vendimin në rastin Uka dhe të tjerë.

Në të njëjtën kohë, FOL kërkon që sa më parë të bëhen ndryshimet e nevojshme që veprat e krimit të organizuar dhe korrupsionit të mos jenë subjekt i parashkrimit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme