Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë ka mbajtur ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve me komunat përfituese për projektin “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për ndërtesat shumë-banesore sociale”, raporton Ekonomia Online. Nga ky projekt përfitojnë 13 komuna, 28 ndërtesa shumë-banesore sociale, rreth 785 familje dhe afërsisht 3 mijë 400 qytetarë.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se komunat që do të përfitojnë janë Prishtina, Skenderaj, Klina, Drenasi, Gjilani, Vitia, Kamenica, Obiliqi, Istogu dhe Malisheva.
Ajo po ashtu ka bërë të ditur se 785 familje në nevojë, apo rreth 3 400 qytetarë, do të kenë kushte më të mira jetese pasi 22 banesa sociale ku jetojnë, përmes investimit prej 5.5 milionë euro do të kenë: Izolimin e kulmit, Izolimin e mureve, Dyer e dritare të reja, Sistemin e ngrohjes për secilën familje, Renovimin e hyrjeve, Sistemin e interfonisë, Masat për mbrojtje kundër zjarrit dhe detektorët e tymit.
Rizavanolli ka falënderuar Bashkimin Evropian për përkrahjen financiare për këtë projekt dhe komunat për bashkëfinancim të projektit.
“Po fillojmë një projekt shumë të rëndësishëm dhe shumë kompleks për herë të parë nga institucionet të Republikës së Kosovës që janë investime të efiçiencës në ndërtesa shumë banesore, por më e rëndësishme se kjo mund të them lirisht që nga të gjitha projektet që janë realizuar gjatë këtij mandatin të gjitha qindra e miliona projekte që kanë nisur në fusha të ndryshme në ndërtim të kapaciteteve, bateri, efiçiencë e të tjera. Për mua personalisht ky është projekti më i rëndësishëm dhe më afër zemrës që e kam dhe që do më bëjë të lumtur dhe krenare për punën e këtij mandate më së shumti, sepse është hera e parë që kemi dizajnuar dhe po zbatojmë një projekt i cili direkt prek shtresat më të cenueshme të shoqërisë duke i përmirësuar kushtet e jetesës për ta, duke ju mundësuar që të jetojnë në kushte më të mira qoftë për nga siguria e ndërtesave, për nga mbrojtja nga zjarri, interfonia e të tjera, e deri tek ngrohja me e lehtë e më e lirë edhe ftohja më e lirë gjatë verës”.
“Janë 785 familje që do të përfitojnë nga këto 22 ndërtesa të para, ndërsa edhe 6 ndërtesa të tjera, në 3 komuna të tjera pritet që të fillojnë në vitet në vijim. Kjo kërkim i dizajnuar për pakon e mbështetjes financiare në kuadër të përballje me kriza të cilën na e ka ofruar Bashkimi Evropian të cilën shfrytëzoj rastin edhe një herë ta falënderoj. Ka qenë njëra prej atyre projekteve që kemi tentuar që në njërën anë të rrisim efiçiencën e gjithmbarshme, mirëpo nga ana tjetër të sigurohemi edhe që grupet më të cenuara të shoqërisë përfitojnë”.
“Ne kemi dizajnuar këtë pako para tri vitesh, tashmë po bëhen, vet plani ka qenë që realizimi i këtij projekti të bëhet para dy vitesh do të thotë këto 785 familje dhe 100 e diçka të tjerë ka qenë e planifikuar që dy dimrat e kaluara, veç ti kalojnë në kushte më të mira, mirëpo fatkeqësisht këto nuk kanë ndodhur për shkak të procedurave administrative dhe ankesave dhe pastaj kohës që USHP ka marr kohë për trajtimin e ankesave, shpresoj që kjo mos të përsëritet, megjithatë më mirë më vonë se sa kurrë, dhe me këtë rast dua të shprehi vullnetin dhe zotimin e Qeverisë se Republikës së Kosovës që të vazhdojnë që të të investojnë për efiçiencë të Energjisë”.
Drejtori i Fondit, Driton Hetemi, tha se ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian, me mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Komunave përkatëse.
Sipas tij, granti investiv nga FKEE mbulon 90% të investimit, ndërsa pjesëmarrja financiare e Komunave është 10% e vlerës totale të investimit, raporton EO.
“Me kënaqësi iu informojmë se po i japim jetë një projekti shumë të rëndësishëm të cilin ju e dini që e kemi pritur shumë gjatë, një projekt që përfshin masa konkrete për përmirësim të efiçiencës Energjetike në ndërtesa shumë banesore sociale. Ky projekt i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur nga Qeveria e Republikës së Kosovës, dhe komunat pjesëmarrëse do të ketë një ndikim të drejtë për drejtë tek përfituesit e tij”.
“Masat e planifikuara për këto ndërtesa përfshijnë: Termoizolimi i mbështjellësit të ndërtesës dhe kulmit; zëvendësimi i dritareve dhe dyerve kryesore; instalimi i sistemit të ngrohjes me kondicionerë ajri për secilën njësi familjare; renovimi i hyrjeve dhe instalimi i sistemit të interfonisë; masat për mbrojtje kundër zjarrit dhe detektorët e tymit”.