Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka njoftuar se për herë të parë është arritur vlera e 3 miliardë eurove të mjeteve neto.
Në njoftimin e Trustit thuhet se gjatë periudhës janar-gusht 2024, mjetet nën menaxhim u ngritën për më shumë se 300 milionë euro krahasuar me fundvitin e vitit 2023.
“Gjatë periudhës janar-gusht 2024 mjetet nën menaxhim u ngritën për më shumë se €300 milionë krahasuar me fundvitin 2023. Ngritja e këtij tetëmujori erdhi nga kontributet e reja (rreth €200 milionë) dhe kthimi nga investimet (rreth €165 milionë). Por njëkohësisht rreth €60 milionë u zbritën nga fondi për pagesat mujore të pensioneve dhe shpenzimet e tjera”, thuhet në njoftimin e publikuar në Facebook, të martën.
Fondi ka njoftuar se nga fillimi i operimit më 2002, miliardëshi i parë i mjeteve nën menaxhim është arritur në vitin 2014, e miliardëshi i dytë në 2021.
“Vlerësuar në tërësi, mjetet që FKPK-ja i ka aktualisht nën menaxhim përbëhen prej pagesave të kursimeve pensionale nga kontribuuesit (rreth 78% ose €2.34 miliardë) dhe kthimi nga investimet (rreth 22% ose €660 milionë). Përveç mjeteve aktuale nën menaxhim, prej themelimit e deri më tani janë tërhequr edhe rreth €675 milionë nga përfituesit e FKPK-së (përfshirë këtu edhe rreth €200 milionë nga tërheqja e parakohshme për 10%-shin)”, thuhet tutje në njoftim.