Forcat e Armatosura Shqiptare nisin dy kontingjente në Afganistan

Prishtinë | 10 Dhj 2019 | 15:12 | Nga Ekonomia Online

Dy kontingjente me trupa nga Forcat e Armatosura u nisën sot për në Afganistan, ku për rreth 6 muaj do të shërbejnë në dy baza të ndryshme në misionin e NATO-s, Resolute Support.

Kontingjenti i parë i përbërë nga pjesëtarë të Batalionit të Mbështetjes me Luftim do të dislokohet në Aeroportin Ndërkombëtar të Kabulit, ndërsa grupi i dytë nga Forcat Speciale do të shërbejë në Bagram.

Për përcjelljen e trupave tanë për në mision ishte i pranishëm zëvendësministri i Mbrojtjes Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, komandanti i Forcës Tokësore gjeneral brigade Albert Mullai, si dhe familjarë të ushtarakëve.

Zëvendësministri Koçi e konsideroi nisjen e trupave në mision si ditë të shënuar për FA dhe vuri në dukje pjesëmarrjen e trupave tanë në të gjithë misionet e NATO-s. “Sot është një nga ditët e krenarisë të FA sepse dy kontingjente, një togë e Batalionit të Mbështetjes në Luftim dhe një grup nga Batalioni Special nisen për në Afganistan, përkatësisht në Kabul dhe në Bagram. Është një mision i vështirë, por që përputhet plotësisht me misionin kushtetutës të FARSH. Është detyrë e Forcave tona të Armatosura, është detyrë e Republikës së Shqipërisë si anëtare e NATO-s për ti shërbyer angazhimeve tona që ne kemi marrë përsipër përkundrejt kësaj aleance historike, transmeton TCh.

Ne jemi një nga vendet e para në NATO që krahasuar me numrin e ushtarakëve që ka Forca jonë e Armatosur kontribuon në misione ndërkombëtare. Këto ditë Shqipëria jeton ditë të vështira. Ne jemi krenarë me punën që kanë bërë FA që nga orët e para të tërmetit të 26 nëntorit. Ne do të vazhdojmë të jemi kudo ku populli ka nevojë, ku halli i qytetarit është i madh, ku rrezikohet jeta e qytetarit aty do të jetë ushtaraku ynë.”- u shpreh zoti Koçi.

Komandanti i Forcës Tokësore gjeneral brigade Albert Mullai theksoi se ushtarakët e përzgjedhur për t’u dërguar në mision janë me përvojë e të mirëpërgatitur dhe siguroi familjarët e ushtarakëve për mbështetjen e pakursyer që ata do të kenë.

Toga e Batalionit të Mbështetjes me Luftim do të jetë kontingjenti i VII shqiptar në misionin Resolute Support në Kabul, ndërsa grupi i Forcave Speciale në Bagram, do të jetë kontingjenti i IV që trajnon kolegët e tyre afganë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme