Forcat e Armatosura vijojnë operacionet për shuarjen e zjarreve në Shqipëri

Prishtinë | 23 Gus 2026 | 16:48 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se Forcat e Armatosura vijojnë angazhimin e tyre intensiv për kontrollin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit në disa rajone të vendit.


Sipas Ministrisë së Mbrojtjes operacionet po zhvillohen në terren të vështirë, me mbështetje ajrore dhe tokësore, duke synuar mbrojtjen e mjedisit dhe të zonave të banuara, shkruan rtsh.al.

Në Malin e Çikës, mbi Palasë, vatra e zjarrit vazhdon të jetë aktive në terren të thepisur dhe të paaksesueshëm. Sot, operacioni për fikjen përfundimtare po mbështetet nga dy avionë Air Tractor.

Në zonën e Krastës, në Krujë, përveç angazhimit të forcave zjarrfikëse të Krujës, Kamzës dhe Vorës, ndërhyrja po vijon edhe nga ajri me një helikopter.

Në Pukë, në lokalitetin Prozhem, operacioni mbështetet nga 30 efektivë të Forcave të Armatosura. Situata në zonën Gojan–Gjegjan është përmirësuar ndjeshëm: vatrat janë izoluar ose fikur dhe mbeten nën mbikëqyrje të vazhdueshme.

Në Dajt, operacioni vazhdon me pjesëmarrjen e 30 efektivëve të Forcave të Armatosura dhe një helikopteri. Autoritetet theksojnë se nuk ekziston rrezik për zonat e banuara.

Forcat e Armatosura mbeten në shërbim të vazhdueshëm për të përballuar situatën dhe për të mbrojtur qytetarët e territorin.

Të ngjashme