Formimi i ushtrisë, interes edhe i NATO-s

Prishtinë | 09 Mar 2017 | 08:06 | Nga

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kadri Kastrati, ka bërë me dije se institucionet e Kosovës nuk do të kthehen mbrapa në rrugën e tyre drejt transformimit të FSK-së në forcë ushtarake mbrojtëse.

Ai ka treguar se një gjë e tillë është edhe në interesin e NATO-s.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, anëtari i Kryesisë së PDK-së ka thënë se me ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse të FSK-së, NATO-ja mund ta zvogëlojë rolin e saj në Kosovë.

“Unë e shoh që NATO-ja dhe ShBA-ja dhe të gjithë partnerët tanë kanë vetëm dobi prej shndërrimit të FSK-së në forcë ushtarake dhe ngritjen e kapaciteteve ushtarake, sepse misioni i NATO-s këtu është misioni më i gjatë në histori të kësaj organizate. Shtetet anëtare të kësaj aleance që janë në Kosovë kanë harxhuar mjete të shumta financiare duke qëndruar këtu. Ndërsa nëse Kosova ngre kapacitetet ushtarake, për të cilën duhet një kohë e gjatë, atëherë NATO-ja natyrisht se nuk ka nevojë të qëndrojë edhe më tutje në Kosovë”, ka thënë Kastrati.

Ai ka vlerësuar se me ngritjen e kapaciteteve, Ushtria e Kosovës mund ta japë kontributin e saj në operacionet e ndryshme të NATO-s.

“Së dyti, Kosova mund ta japë kontributin e vet duke u bërë eksportuese e sigurisë. Pra, të japë kontribut në operacionet e ndryshme të NATO-s, në luftimin e terrorizmit dhe në të gjitha problemet e sigurisë që po ndodhin rreth nesh”, është shprehur ai. Sipas Kastratit, shqetësimi i ndërkombëtarëve, se nisma e avancimit të FSK-së është e njëanshme, nuk qëndron. “Shqetësimi kryesor te këta partnerë ka të bëjë me atë se në këtë proces duhet të pajtohen të gjitha palët, të gjitha subjektet politike këtu, duke përfshirë edhe pakicën serbe. Por, të gjithë janë dëshmitarë se prej vitit 2014 kur kanë përfunduar rekomandimet për rishikimin strategjik të sektorit të sigurisë, ne kemi diskutuar me serbët dhe u kemi kërkuar t’i votojnë ndryshimet kushtetuese që transformimi të bëhet ashtu siç ishte paraparë”, është shprehur Kastrati.

Ish-komandanti i FSK-së është shprehur i bindur se ky mospajtim nuk do të sjellë ndonjë ftohje të raporteve në mes të FSK-së dhe partnerëve të saj, ShBA-së dhe NATO-s.
“Në asnjë mënyrë nuk ka ftohje të raporteve. Përkundrazi, pres mbështetje prej partnerëve që Kosova t’i ngrehë kapacitet mbrojtëse sepse, siç thashë, është interes, në radhë të parë, i Kosovës, rajonit, por interes edhe në aspektin global. Edhe Kosova mund të japë kontribut në luftimin e terrorizmit, i cili është një fenomen global shumë i keq”, ka thënë Kastrati.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme