Formohet grup punues për të monitoruar Ligjin për Siguri dhe Shëndet në Punë

Prishtinë | 29 Jan 2019 | 14:29 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale ka miratuar draft-planin e punës së komisionit për vitin 2019, me rekomandimet që u dhanë nga anëtarët e komisionit, raporton Ekonomia Online.

Kryetarja e këtij komisioni, Besa Baftiu, kërkoi që të shikohet Ligji për Siguri dhe Shëndet në Punë.

“Duke marrë parasysh sa shkelen të drejtat e punëtorëve kemi nevojë ta monitorojmë këtë ligj”, tha ajo.

Deputetja e PDK-së, Flora Brovina, kërkoi që të kontaktohen disa nga organet përkatëse lidhur me Ligjin e Emergjencave.

“Lidhur me programin e punës të kemi një grup që kontakton kryeministrin, MF-në, MFSK-në, MPB-së, që të fillojë zbatimi i Ligjit të Emergjencave.  Pa këtë ligj nuk do kemi ndryshime radikale në mbrojtjen e njerëzve. Vdekshmëria në punë është kaq e lartë pikërisht për shkak të mungesës së këtij ligji për emergjenca”, tha Brovina.

Deputetja e Vetëvendosjes,Fatmire Kollçaku, kërkoi që në QKUK të shtohen shtretërit si diçka e nevojshme tani për tani.

“Sipas informatave që kemi, ata po presin me vdekë dikush që të kenë të lirë një shtrat. Ende është problem mungesa e shtretërve. Krahas planit të punës jam në parim ta votojmë ndërsa edhe organizatat që të na ndihmojnë “, u shpreh ajo.

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, tha se Ligji i Duhanit më nuk po zbatohet as nga ministritë as vendet tjera publike, gjë për të cilën kërkoi që si komision të shikojnë se ku ka pasur ngecje.

“Mospirja e duhanit nuk është duke u respektuar askund, duke filluar nga ministritë. Ne në fund të dalim me përfundime se çka duhet të ndryshohet. Ky ligj ka qenë shumë i mirë, por se çka ndodhi me të nuk e kuptoj se si Kosova hoqi dorë nga zbatimi i këtij ligji dhe sot vazhdon pirja e duhanit në mënyrë eklatante nëpër vende publike”, tha Avdyli.

 Kollçaku u përgjigj se zbatimi i Ligjit të Duhanit duhet të shikohet nga Kuvendi e pastaj në organet e tjera.

“Nëse është ky zbatimi duhet të shihet që nga kuvendi. Ne fillimisht duhet ta shohim ku shkelet ligji sepse kjo do ishte hipokrizi ndaj qytetarëve. Ne jemi dëshmitarë se nuk ka reagim të inspektoratit, të një televizioni që financohet nga shteti dhe medieve tjera”, tha ajo, raporton EO.

Deputetja e PDK-së, Bekim Haxhiu, kërkoi që të rishikohet dhe të ndryshohet ligji për pensionistët kontribut dhënës pasi sipas tij ministria përkatëse nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim.

Anëtarët e Komisionit vendosën që të formojnë një grup punues për të monitoruar Ligjin për Siguri dhe Shëndet në Punë në krye me Besa Baftiun dhe anëtarë Fatmire Kollçaku, Naser Rugova, Flora Brovina, Time Kadrijaj.

Komisioni formoi edhe grupin punues për Këshillin Ekonomik-Social, me udhëheqës Enver Hotin dhe anëtarë Flora Brovina, Drita Millaku, Time Kadrijaj, Haxhi Avdyli, Bekim Haxhiu.

Të ngjashme