Komisioni Ekzekutiv për propozimin dhe hartimin e parimeve themelore, si parakusht për themelimin e Fondit Sovran të Republikës së Kosovës mbajti sot mbledhjen e parë.
Në mbledhje u miratua Grupi Punues i përbërë nga anëtarët: Arta Hoxha, eksperte e auditimit bankar, anëtare e Bordit të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, Edison Jakurti, doktorant i ekonomisë, ekspert i çështjeve të ekonomisë së brendshme, Emanuel Bajra, ekspert i industrisë ndërkombëtare financiare, dhe Tea Blakaj Hoxha, këshilltare ligjore e Kryeministrit.
Kryetar i Grupit Punues u zgjodh Besnik Pula, profesor në Universitetin Virginia Tech, në ShBA, njëkohësisht këshilltar i kryeministrit Kurti për marrëdhënie ekonomike ndërkombëtare, i cili bëri një prezantim të shkurtër përpara Komisionit.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti tha se në këtë mbledhje po nis një nga reformat më të mëdha ekonomike të vendit tonë që nga pavarësia. Themelimi i Fondit Sovran do të japë një shpresë të re për zhvillim ekonomik në Kosovë, pas një modeli ekonomik, i cili që nga paslufta nuk solli ndryshimet aq të pritura dhe shpresat për vendin që pat populli i Kosovës, tha ai.
“Sot jemi këtu për të treguar se ka alternativë ndaj rrugës së ndjekur deri më tani. Një ndër to është, ajo që ne besojmë, shteti zhvillimor. Shteti i cili në ekonomi nuk është as regjisor e as spektator por bashkë-skenarist dhe aktor. Në funksion të konkretizimit të shtetit zhvillimor e kemi menduar, premtuar dhe tani do ta realizojmë njërin ndër institucionet e tij – Fondin Sovran të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Kurti.
Ai tha se ndërmarrjeve tona nuk u duhet vetëm ndërrimi i kahjes së përgjithshme nga minusi drejt zeros, gjë që duhet ta bëjnë bordet e reja profesionale. Atyre, siç tha ai, duhet edhe t’iu rritet vlera përmes menaxhimit më të mirë ditor, i cili i ndërron bilancet financiare vjetore nga deficiti në surplus.
Kështu ato, sipas kryeministrit, nuk do të shihen më si barrë për buxhetin e republikës por do të shndërrohen në krah te fortë të zhvillimit ekonomik në vend.
“Këtë qëllim parësor do ta ketë Fondi Sovran. Ai duhet të kujdeset për menaxhimin e performancës financiare të aseteve strategjike. Kjo nënkupton ngritje të performancës, rritje të vlerës, dhe rritje të kthimit në investime”, tha kryeministri.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuari zëvendëskryeministër, z. Besnik Bislimi,
E nderuara ministre, znj. Rozeta Hajdari,
E nderuara ministre, znj. Artane Rizvanolli,
I nderuari ministër, z. Hekuran Murati,
I nderuari zëvendësministër, z. Hysen Durmishi,
I nderuari zëvendësues i Sekretarit të Përgjithshme të Zyrës së Kryeministrit, z. Arben Krasniqi,
I nderuari shef i stafit të Kryeministrisë, z. Luan Dalipi.
Mirë se po takohemi në këtë mbledhje të parë të Komisionit Ekzekutiv për propozimin dhe hartimin e parimeve themelore si parakusht për themelimin e Fondit Sovran të Republikës së Kosovës.
Jemi mbledhur sot për të nisur një nga reformat më të mëdha ekonomike të vendit tonë që nga shpallja e pavarësisë së shtetit tonë. Themelimi i Fondit Sovran do të japë një shpresë të re për zhvillim ekonomik në Kosovë, pas një modeli ekonomik i cili që nga paslufta nuk solli ndryshimet e pritura dhe shpresat për vendin që pat populli i Kosovës.
Ky model ekonomik u ndërtua mbi idenë e privatizimit të shpejtë, idenë se ekonomia e Kosovës më nuk mund të industrializohej, idenë se Kosova është një ekonomi jo e tregut konkurent e inovativ për prodhime dhe shërbime, por e tregtisë për mallra të importuara, dhe idenë se sektori publik shërben jo si shtyllë zhvillimore e ekonomisë së Kosovës, por si aset për t’u zhvatur deri në dëmtim e shkatërrim.
Kemi parë veçanërisht se procesi i privatizimit në Kosovë ishte shumë problematik. Arsye për këtë ishin qëllimi, edhe mënyra, edhe rezultati – të tria këto të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.
Qëllimi ishte problematik, sepse mëtonte që pronën e të gjithëve ta bënte pronë të disave. Disa do të shndërroheshin brenda natës në milionerë. Më pak, më vonë, do të bëheshin tajkunë e oligarkë. E shumica do të mbetej pa pronë e pa punë.
Mënyra ishte problematike për shumë arsye, duke filluar nga çmimi për të cilën u shitën shumë asete – korrupsioni i madh në proces. Ta zëmë, e kemi parë sesi në një rast 50 hektarë janë shitur për çmim 1 euro për ari. Ose, në KEDS janë investuar rreth 180 milionë euro para se ai të shitej për 26.3 milionë euro. Për ta kuptuar një absurditet të tillë nuk duhet të jesh ekonomist. As matematikan. Mjafton një kalkulator i thjeshtë që ta llogaritësh rezultatin për shumën që ke investuar minus shumën që e fiton nga shitja. Dhe, aty e sheh katastrofën – pra, mjafton kontabiliteti i transaksionit të shitjes pa hyrë fare në shumë aspekte tjera që janë problematike përveç çmimit.
Dhe, rezultati ishte problematik, jo vetëm për shkak të procesit, por sepse deindustrializimi që iu bë vendit përmes privatizimit la dhjetëra mijëra punëtorë pa punë. Në rastin më të mirë, disa prej tyre iu dhanë 20% e vlerës qesharake për të cilin ishin shitur asetet e vendit të tyre të punës.
Por privatizimi kishte edhe një funksion tjetër që pak është theksuar. Ai qëndronte si hienë mbi ndërmarrjet tjera publike, të cilat përgjithësisht keqmenaxhoheshin e degradoheshin çdo vit e më shumë, duke pritur që një ditë t’i gllabëronte edhe ato.
Për ta ndalur këtë funksion të privatizimit, ne kemi filluar të ndërmarrim hapa që nga ardhja e Qeverisë Kurti I dhe e kemi vazhduar edhe në këtë mandat. Hapi i parë ka qenë shkarkimi i bordeve politike të ndërmarrjeve publike dhe zëvendësimi i tyre me borde profesionale të përkohshme, të cilat do ta përgatisin terrenin për borde profesionale me mandat të plotë. Hapi i dytë i rëndësishëm ka qenë shkarkimi i bordit të AKP-së dhe emërimi i një bordi profesional të përkohshëm që kryen përgatitjen për shuarjen e kësaj agjencie.
Sot jemi këtu për ta hedhur hapin e tretë që është i një rëndësie të veçantë. Them më të veçantë sepse para vetes kemi detyrën, e jo thjesht parandalimit të degradimit, por të ndërrimit të drejtimit drejt zhvillimit. Të krijimit.
Të nderuar anëtarë të këtij Komisioni,
Sot jemi këtu për të treguar se ka alternativë ndaj rrugës së ndjekur deri më tani. Një ndër to është, ajo që ne besojmë: shteti zhvillimor. Shteti i cili në ekonomi nuk është as regjisor e as spektator por bashkë-skenarist dhe aktor. Në funksion të konkretizimit të shtetit zhvillimor e kemi menduar, premtuar dhe tani do ta realizojmë njërin ndër institucionet e tij – Fondin Sovran të Republikës së Kosovës.
Ndërmarrjeve tona nuk u duhet vetëm ndërrimi i kahjes së përgjithshme nga minusi drejt zeros, gjë që duhet ta bëjnë bordet e reja profesionale. Atyre duhet edhe t’iu rritet vlera përmes menaxhimit më të mirë ditor, i cili i ndërron bilancet financiare vjetore nga deficiti në surplus. Kështu ato nuk do të shihen më si barrë për buxhetin e Republikës, por do të shndërrohen në krah të fortë të zhvillimit ekonomik të vendit.
Këtë qëllim parësor do ta ketë Fondi Sovran. Ai duhet të kujdeset për menaxhimin e performancës financiare të aseteve strategjike. Kjo nënkupton ngritje të performancës, rritje të vlerës, dhe rritje të kthimit në investime.
Pra, ne sot, nuk jemi vetëm për ta përmbushur një premtim elektoral, por për ta nisur hapjen e një shtegu të ri për zhvillim ekonomik në vend. Ajo çfarë ka bërë neoliberalizmi e kemi parë dhe nuk është aspak e bukur. Le ta provojmë një rrugë të re.
Ju falemnderit.