U përcoll me shumë habi lajmi kur Tottenham Hotspur u bë klubi i parë i Premier Leagues që nuk shpenzoi fare para në afatin kalimtar të verës. Mirëpo, klubi po dëshmon se thjesht nuk ka çmim që mund të vendosësh në stabilitet dhe familjarizim.
Skuadra e drejtuar nga Mauricio Pochettino nuk ishte as në formën e saj më të mirë kundër Manchester Unitedit të hënën mbrëma në “Old Trafford”, por prapë shënoi një fitore bindëse 3:0 në udhëtim, duke vazhduar me start të qind për qind prej tri fitoreve në po aq ndeshje.
Më herët këtë muaj, derisa klubet e tjera ishin të përfshira në shpenzime të çmendura, Tottenhami vendosi të qëndronte me ata lojtarë që ka, një gjë që hasi në kritika edhe nga vetë tifozët e klubit.
Pochettino, që me Tottenhamin ka zënë vend në top treshe në tri herët e fundit, ka thënë se nuk ka arsye për të transferuar një lojtar vetëm sa për të thënë, mirëpo edhe ai mund të jetë ndierë i frustruar për mungesë aktiviteti dhe po ashtu i shqetësuar se stadiumi ende i pakompletuar prej 800 milionë funtesh do të fillojë të marrë nga buxheti i skuadrës.
Por, më me rëndësi, Tottenhami nuk ka shitur asnjë lojtar, ndonëse dyshja belge Toby Alderweireld dhe Mousa Dembele dhe mbrojtësi i majtë anglez Danny Rose ishte pritur të largoheshin.