FORTESA, CELINA, KRUSHA… DËSHMIA E GJENOCIDIT TË MOHUAR

Prishtinë | 26 Mar 2026 | 13:19 | Nga Arben Fetoshi

(Krimi, Fshehja, Mohimi: Tri fytyrat e Serbisë së njëjtë)

Ora rreth 19:45. Data 24 mars 1999. Filloi kapitulli më i rëndësishëm në historinë moderne të Europës: intervenimi i NATO-s për ta ndalur spastrimin etnik në Kosovë.

Saktësisht një vit pas Epopesë së UÇK-së në Gllogjan, bota demokratike nisi bombardimin e makinerisë kriminale të Millosheviqit. Një konsensus i vështirë, që iu nënshtrua imperativit liberal kundër “sovranitetit” që vriste, dhunonte, masakronte e dëbonte.

Sot, në 27 vjetorin e betejës me gjenocidin, beteja me “viktimizimin” serb është bërë më sfiduese.

E vërteta e njohur botërisht, vazhdon të ngatërrohet në narrativën e përmbysur serbe: Reçaku “inskenim”, NATO “agresor”, Serbia “viktimë”.

Fuqitë perëndimore ishin njoftuar për planin e spastrimit etnik (operacioni “Patkoi”). Kancelari Schroeder e përshkruante atë si strategji shtetërore për dëbimin e shqiptarëve, ndërsa Solana deklaronte se ndërhyrja ishte e pashmangshme, pas dështimit të diplomacisë.

Pavarësisht sa ofensive dhe sa finoke është Serbia në mohimin e të vërtetës, faktet mbeten të pavdekshme: Afër një milion shqiptarë të dëbuar, mbi 13 mijë të vrarë, rreth 20 mijë gra të dhunuara, qindra fshatra, qytete e monumente historike të shkatërruara, e vërtetojnë qëllimin e “Patkoit”.

Zbatimi i “Patkoit”

Ora rreth 3:30 e mëngjesit. Tanke dhe autoblinda ushtarake hynë në Bellacerkë (sot Fortesë).

Nga Kodra, njësitë policore zbrazën breshëri mbi fshat, për t’i frikësuar e larguar banorët. Më pas filloi rrethimi. Vinin nga magjistralja drejt përroit, përmes të cilit shumë nga banorët ishin larguar drejt Rogovës, për gati një kilometër, duke mbyllur rrethin te Bellaja.

Ora 9:30. Fillimisht plaçkitje, urdhër për zhveshje, sharje me nënë, çirrje “Ku e keni NATO-n?”, shtytje poshtë lumit dhe në fund, breshëri nga të gjitha anët.

Dardani (6), Ardiani, Kreshniku… e 65 civilë të tjerë, ranë nga plumbat e Zllatko Bozhaniqit (Opterushë), Dejanit (Xërxë) dhe kolegëve të tyre me uniforma të përziera – disa të kaltra e disa ushtarake të kamufluara (sipas dëshmisë së F.P., i mbijetuar).

Ata ende presin drejtësi, sepse ende asnjë nga kriminelët s’është dënuar.

Më pas, skenari i gjenocidit vazhdoi drejt Celinës. 75 të vrarë.

Në Brestoc sapo ishte ekzekutuar plani: 45 të masakruar.

Edhe në Hoçë të Vogël (nga 25 mars deri më 2 prill), 34 civilë të masakruar. Prej tyre, 14 fëmijë nga 6 muaj deri në 16 vjeç.

Ndërkohë, falangat serbe kishin rrethuar Krushën, të Madhen e të Voglën.

Pas granatimit mbi to, njësitë speciale të këmbësorisë filluan djegien dhe plaçkitjen, gratë e fëmijët i ndanë (duke i urdhëruar drejt Shqipërisë) nga burrat dhe djemtë, të cilët i kishin grumbulluar te xhamia e në lokacione të tjera.

Mbledhje e dokumenteve personale, për të mos lënë shenja, rrahje brutale, ekzekutime nga një, si dhe breshëri plumbash mbi grupe civilësh. Në fund, djegie e trupave dhe hedhje në Dri, për t’i zhdukur gjurmët. 241 të vrarë, 64 varre ende pa emër.

Skenar i njëjtë edhe në Krushë të Vogël, ku jetonin po ashtu banorë serbë. Bashkëfshatarë që ndihmuan ekzekutimin e të gjithë burrave shqiptarë. Një fshat që u mbeti “grave në të zeza”, pas masakrimit dhe djegies së trupave të 113 burrave e djemve të tij.

Hija e krimit të mohuar

Krimet e forcave serbe nuk përfundojnë me plumbat mbi fëmijë, gra dhe pleq. Ato vazhdojnë të mbahen peng nga padrejtësia dhe mohimi, nën hirin e të djegurve dhe fatin e të zhdukurve.

Bellacërka, Celina, Brestoci, Krusha… nuk janë vetëm toponime të dhimbjes.

Janë dëshmi të planit gjenocidal dhe terror mbi civilë pas ndërhyrjes vendimtare të ‘forcës aleate’.

Millosheviqi e kuptoi se po i afrohej fundi, prandaj fushata e koordinuar e “Patkoit” ishte kalkulimi për vrasjen e “dy zogjve me një gur”: Kosovën pa shqiptarë (krime monstruoze për t’i bërë të pakthyeshëm të dëbuarit me dhunë) dhe fajësimin e NATO-s (ndërhyrja ndërkombëtare si shkak i katastrofës).

Plani dështoi, sepse ndërhyrja ushtarake nuk ishte reagimi i vetëm ndërkombëtar.

Të deportuarit nuk u degëdisën nëpër botë, ndërsa Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi u bënë vija strategjike e rikthimit.

Megjithatë krimi mbeti, Fortesa, Celina, Brestoci, Krusha e mbarë Kosova, vazhdon ta dëshmojë atë, duke përkujtuar çdo vit dhimbjen e mohuar.

Në vend të reflektimit, Serbia u struk përkohësisht me Millosheviqin në Hagë.

Asnjëherë nuk u pendua dhe nuk kërkoi falje. Përkundrazi, tentoi ta fshehë, e mohoi dhe vazhdon të sulmojë duke pretenduar “viktimën”.

Vuçiqi dhe prokurorë, akademikë e priftërinj pas tij, i thanë Reçakut “inskenim për ta legjitimuar ndërhyrjen e NATO-s”, i thanë Srebrenicës “incident” fatkeq dhe heshtin për Bellacërkën, Celinën, Brestocin, Krushën e Madhe, Krushën e Vogël…

Përpiqen ta fajësojnë NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë, Gjermaninë, Francën dhe ndërkohë, vazhdojnë agresionin hibrid me “viktimizimin”.

Përmes strategjisë DARVO (Deny, Attack, Reverse Victim and Offender), tentojnë ta shmangin përgjegjësinë, duke ndërruar vendin me viktimën.

Prandaj, hija e krimit nuk është metaforë, është strategji. Strategji perfide për ta manipuluar të vërtetën, duke fabrikuar “terrorin, diskriminimin dhe rrezikun ekzistencial” të serbëve në Kosovë.

Prandaj ende sot, përballë propagandës që e ka objektiv HARRESËN, Krusha, Bellacërka, Celina, Hoça, Brestoci… vazhdojnë të kërkojnë DREJTËSI.

Të ngjashme