Forumi për Gratë tregon se Kosova është storie e suksesit

Prishtinë | 22 Tet 2022 | 10:43 | Nga Jeta Statovci

Republika e Kosovës, si partnere e palëkundur e aleatëve perëndimorë në përpjekjet për paqen, sigurinë, stabilitetin dhe fuqizimin e demokracisë në botë, me Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, që do të mbahet në Prishtinë me datat 22 dhe 23 tetor 2022, nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Shkëlqesisë së Saj, znj. Vjosa Osmani, po e rikonfirmon vullnetin e saj për të qenë kontribuuese aktive në përpjekjet e përbashkëta të cilat drejtohen nga aleatët tanë për t’i përballuar sfidat globale.

Kosova është njëra nga vendet që ka pësuar shumë nga sistemet që I kanë cenuar të drejtat dhe liritë themelore e, nga ana tjetër, është njëra nga vendet që ka përfituar më së shumti nga përhapja e demokracisë, ndaj, për Kosovën, ky edicion i këtij forumi, ka një rëndësi të dyfishtë, pra jo thjesht dhe vetëm si njëra nga vendet që i bashkohet aksionit të vendeve të avancuara si zotim i Samitit për Demokraci, që është mbajtur në ShBA, por edhe si njëra nga vendet “success story”, se si demokracia dhe paqja rrëzojnë paradigma që e justifikojnë cenimin e të drejtave të njeriut.

Si njëra nga vendet që për dekada me radhë është përballur me ruajtjen ekzistenciale të qenies së vet, shoqëria kosovare qartazi ka nevojë që maturimin e saj demokratik ta kërkojë përmes fuqizimit të mëtejmë të rolit të gruas në formësimin e një shoqërie me demokraci aktive e ku paqja është ideal i fuqishëm i vlerave të përbashkëta të shtetit dhe të shoqërisë.

Shoqëria Kosovare, pikërisht me nisma si kjo, ka arritur një progres që sot është i dukshëm. Kemi arritur të kemi shumë gra nëpër institucione, duke e shpërfaqur idenë se gruaja në politikë nuk shihet më aspak si tabu në Kosovë. Sidoqoftë, gruaja sipërmarëse në ekonominë e lirë të tregut tonë qëndron akoma në nivel të pakënaqshëm.

Andaj nismat tona shoqërore e institucionale, të ndihmuara nga brenda e jashtë, siç është edhe kjo e sotmja, duhet të vazhdojnë, meqë akoma nuk e kanë përfunduar tërësisht misionin e vet.

Kujtojmë se aty ku gratë janë të shtypura, shtypen edhe fëmijët zakonisht, e ku shtypen fëmijët, krijohen traumat, të cilat barten pastaj te shoqëria në përgjithësi.

Fuqizimi i rolit të gruas nuk është kërkesë që zakonisht interpretohet si duhet, ky fuqizim nuk nënkupton asgjë më shumë e më pak se një të drejtë për barazi dhe mundësi që rrjedhin nga barazia. Si kurrë më parë, Kosova ka mundësi për t’i avancuar gratë akoma më lart. Dhe si deputete e Kuvendit të Kosovës, do të jem përherë në shërbim të kauzave të drejta për fuqizimin e një shoqërie të drejtë, demokratike dhe të barabartë.

Ndaj, siç u tha më lart, ky forum, me këtë tematikë, ka një rëndësi të shumëfishtë për Kosovën, sepse edhe I reflekton shembujt e suksesit nga e kaluara krahas miqve e partnerëve e poashtu i reflekton edhe domosdoshmëritë e kësaj kohe, kur Kosova po bën përpjekje të fuqishme që ta thellojë zhvillimin e saj të brendshëm e të qëndrueshëm e t’i kryejë detyrat e saj si pjesë e pandarë e përpjekjeve rajonale e ndërkombëtare për paqen, demokracinë dhe prosperitetin e përgjithshëm.

Me kënaqësi e kam pranuar këtë ftesë dhe do të jetë nder për mua që të flas në margjinat e këtij forumi, nga i cili shpresoj se do të dalim me mesazhe të qarta e të vendosura për domosdoshmërinë e rritjes së bashkëpunimit shumëpalësh për t’i çuar më tej kauzat civile për më shumë demokraci e paqe në rajon e më gjerë.

Të ngjashme