Forumi “Ulpiana” mbledh në Prishtinë 21 shtete – Gërvalla: Më shumë se për paratë, kemi nevojë për përvojën e Diasporës

| 17 Nën 2023 | 12:40 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në organizim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës (MPJD) ka vazhduar punimet, në ditën e dytë, Forumi Ndërkombëtar “Ulpiana”, i cili ka mbledhur për herë të parë në Prishtinë përfaqësues nga 21 shtete tế ndryshme me gjithsej 48 folës, raporton Ekonomia Online.

Liza Gashi, zv.ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në fjalën e hapjes, tha se kjo është ngjarja më e rëndësishme e organizuar në Kosovë.

Ajo tha se është shumë e rëndësishme që çdo vend të kuptojë se cilat janë nevojat e diasporës.

“Të kuptuarit e nevojave të diasporës është më rëndësi për çdo vend. Kemi fuqinë të ndërtojmë shtetet jo vetëm brenda kufijve, por edhe jashtë, mu për këtë kemi krijuar forumin ‘Ulpiana’. Sot do ta paraqesim draft-strategjinë se si mund të lidhemi me ju. Ambasadat dhe konsullata janë pikat kryesore për ndërlidhje me ju. Ne kemi lansur dy programe vitin e shkuar këto janë të rëndësishme që të ndahen me shtetet e tjera. E para ishte iniciativa ku të rinjtë mund të kthehen që të punojnë nëpër institucione të Kosovës. Programi i dytë është platforma ‘Shijo Kosovën’”, tha ajo.

Në këtë aktivitet në panelin hapës u diskutua mbi temën “Migrimi përmes angazhimit të Diasporës”, në të cilën u theksua se roli i diasporës është shumë i rëndësishëm në proceset të cilat kalojnë vendet.

Për këtë u tha se shtetet duhet që të punojnë në ndryshimin e kornizave ligjore, në sundim të ligjit, në luftim të korrupsionit e të sigurohet rritje e qëndrueshme e ekonomisë në mënyrë që diaspora të kthehet e kështu sipas tyre, parandalohen edhe ikjet e reja.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, tha se diaspora në Qeverinë e Kosovës është ndër prioritetet e para. Sipas saj, Kosova ka nevojë jo vetëm për paratë e diasporës, por më shumë që përvojën e saj të sjellë, duke ndihmuar vendin që t’i afrohet standardeve të vendeve ku jetojnë.

Gërvalla tha se Qeveria e Kosovës u ka mundësuar diasporës që të votojë, sipas saj, tash ata mund të votojnë edhe nëpër ambasadat e konsullata në vendet ku jetojnë.  Gërvalla tha se nëse shtetet e Ballkanit duan investime të huaja në rajon, së pari ato duhet të adresohen përmes diasporës.

“Diaspora për Kosovën nuk paraqet vetëm një temë që si qeveri të merremi më të, por diaspora është një zgjatim i natyrshëm i vendit tonë. Jam e lumtur që në Qeverinë e Kosovën kam gjetur një gatishmëri që ta bëjë diasporën një nga prioritetet e saj. Jo vetëm për Kosovën por të gjitha rajonet kanë nevojë për diasporën. E kemi këtë verën e ‘shacave’, ashtu siç i quajmë, kur të gjithë ‘shacat’ i mirëpresim i përqafojmë, sa e sa ngjarje kulturore organizohen”.

“Shohim se diaspora mund të sjellë diçka më shumë sesa financat, ata sjellin më shumë se 1 miliard euro në Kosovë, por përveç parave që sjellin ne kemi nevojë për përvojën e tyre, dhe të arrijmë nivelin si në vendet ku ata jetojnë. Diaspora na nevojitet edhe për angazhim politik në Kosovë. Qeveria ia ka dhënë të drejtën e votës diasporës. Gjatë dy viteve e gjysmë të qeverisë, kemi bërë hapa të rëndësishëm që diasporës t’ia mundësojmë që të votojë” tha ajo.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se diaspora është vetë thelbi i shoqërisë e i kombit.

Sipas tij, shteti maqedonas ka afër 500 mijë njerëz në diasporë, duke shtuar se që migrimi të ndalet mënyra e vetme është që shtet të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.

“Ku e shoh vlerën e shtuar të këtyre konferencave është që të shohim format që shfrytëzojnë. Diasporë të ndryshme kërkojnë politika specifike por disa gjëra i kanë të ngjashme. Kemi dy grupe të diasporës i kemi ata të vjetrit dhe me modernet, nuk kemi të dhënat me ata të vjetrit. Kësaj radhe kemi vendosur që ta përfshijmë edhe diasporën në regjistrimin e popullsisë. Mund të konsiderojmë që 400-500 mijë njerëz janë pjesë e komunitetit të diasporës se Maqedonisë së Veriut”.

“E para se si të parandalohet trend i vazhdueshëm i migrimit, si ti tërheqim njerëzit tanë. Në 30 vjet të pavarësisë sonë kemi provuar çdo gjë, e vetmja mënyrë që ta ndalojmë migrimin është që t’i bashkëngjemi Bashkimit Evropian, që ta mbyllim këtë boshllëk socio-ekonomik”, tha ai.

Zdenko Lucić, sekretar i Shtetit për Çështjet e Jashtme dhe Evropiane nga Republika e Kroacisë, tha se ky shtet ka më shumë njerëz që jetojnë jashtë vendit se sa që jetojnë në Kroaci.

Për këtë ai tha se shteti kroat është duku punuar që të kthej në vend ata që kanë emigruara, raporton EO.

Sipas tij, që të ndalohet largimi i njerëzve dhe të mundësohet kthimi i atyre që janë larguar shtet duhet që të punohet në përmirësimin e  kornizës ligjore, në sundimin të ligjit e luftimin e korrupsionit.

“Kroacia ka më shumë kroatë që jetojnë jashtë Kroacisë sasa vetë në Kroaci. Arsyet janë ekonomike e po ashtu kanë qenë edhe politike në kohën e ish-Jugosllavisë. Ajo që shtetet duhet të bëjnë në mënyrë që të parandalojnë imigrimin, është që të ruajnë talentet dhe t’i joshin njerëzit që të kthehen në vend, të kenë bashkëpunim me diasporën. Çdo shtet për të pasur sukses në këtë proces duhet të përmirësohen kornizën ligjore, sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit. Duhet të ketë një rritje të qëndrueshme ekonomike që ata të mos largohen”, tha ai.

Artemis Malo, zv.ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, tha se shteti shqiptar është duke punuar në iniciativa të ndryshme që të përfshijë diasporën.

“Në vitet të fundit jemi marrë me këto çështje por për shkak të pandemisë në disa proces kemi shënuar ngecje. Këtë vit kemi vënë një agjendë të re për ministrinë. Për vitin 2024 kemi bërë disa projekte të reja si ajo shkolla verore, një gjë tjetër është mekanizmi, pra një grup ministror që ka filluar një iniciativë, që do të ftojë profesionist nga diaspora shqiptare. Dhe tani kemi një zyrtar për diasporë nëpër ambasada e konsullata. Mendoj se kjo është një praktikë e mirë. Ne kemi marrë edhe iniciativa për të regjistruar shqiptarët kudo që janë”.

Në Forumin Ndërkombëtar “Ulpiana”, po marrin pjesë përfaqësues nga 21 shtete tế ndryshme me gjithsej 48 folës. Punimet e Forumit janë të përqëndruara në panele ekspertësh nga sektorë të ndryshëm si: akademia, shoqëria civile, biznesi, të cilët do të diskutojnë tema specifike, të lidhura me angazhimin e diasporës dhe zhvillimet ndërkombëtare, përfshirë kulturën, zhvillimin ekonomik, diplomacinë publike, sigurinë, teknologjinë, të rinjtë dhe hartimin e politikave.

Forumi Ulpiana (FU) synon rrjetëzimin e strukturave politike dhe institucionale që punojnë në krijimin e mekanizmave inovative për ndërlidhjen dhe angazhimin e diasporës, si dhe krijimin e mundësive për rrjetëzimin e pjesëmarrësve të qeverive të ndryshme në forum, me liderë globalë politik, organizata akademike dhe të diasporës, si dhe industri të ndryshme.

Të ngjashme