Një foshnje 5-muajshe është konfirmuar me Coronavirus në Kosovë, duke u bërë fëmija i parë dhe personi më i ri i infektuar me këtë virus.
Në përgjithësi në botë fëmijë, por sidomos foshnja, janë prekur në numër të vogël nga virusi COVID-19, raporton KOHA.
Doktorët kanë konfirmuar për KOHËN gjatë së enjtes se fëmija dhe nëna e tij janë pranuar në Klinikën Infektive në QKUK.
Infektologu Salih Ahmeti ka treguar se foshnja është nga Komuna e Kamenicës dhe vjen nga një familje që janë të prekur me koronavirus.
Ai shton se gjendja e nënës dhe e foshnjës është e mirë.
Në Kamenicë numri i të infektuarve ka shkuar në 11.
E në gjithë Kosovën deri më tani janë konfirmuar mbi 120 persona të prekur dhe një i vdekur me koronavirus.
Autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik, me qëllim të parandalimit të përhapjes së këtij virusi, dhe kanë kërkuar nga qytetarët të qëndrojnë sa më shumë në shtëpi dhe të respektojnë rregullat e distancës sociale.