Foshnja e lindur para kohe në Iran e mposht Coronavirusin

Prishtinë | 27 Pri 2020 | 08:41 | Nga Ekonomia Online

Një foshnjë e lindur para kohe në qytetin qendror iranian, Yazd, e ka mposhtur coronavirusin. Ajo peshonte vetëm 800 gramë.

“Një lloj i ri i coronavirusit u zbulua te foshnja Amir Arsalan, që u lind 40 ditë para kohës”, tha Dr. Mahmud Nuri, prorektor i Universitetit të Shkencave Mjekësore “Shahid Sadoughi”, duke shtuar se nëna e foshnjës ishte e infektuar me Covid-19.

“Sot, foshnja peshon 1200 gramë. Foshnja dhe nëna e kanë mposhtur sëmundjen”, tha ai më tutje.

Sipas standardeve botërore të shëndetësisë, një foshnjë normale në kohën e lindjes peshon nga 2.5 deri në 4.5 kilogramë, shkruan “Anadolu”, transmeton gazetaexpress.

Në Iran, rasti i parë me Covid-19 ishte shënuar në qytetin Qom më 19 shkurt dhe më pas u përhap në tërë vendin. Së paku 5,710 persona kanë vdekur nga kjo sëmundje deri më tani në republikën islamike dhe mbi 90 mijë janë infektuar.

Autoritetet e kanë lejuar rihapjen e bizneseve me faza nga 11 prilli pas masave kufizuese që ishin marrë më herët për ta luftuar përhapjen e virusit.

Megjithatë, xhamitë vazhdojnë të jenë të mbyllura dhe autoritetet kanë urdhëruar që iftaret të organizohen vetëm me familjen e ngushtë.

Të ngjashme