Surrealizmi si një formë e çlirimit nga racionalja dhe ikje në një formë nga realiteti, tash e gati një shekull i ka dhënë një tjetër drejtim artit.
Artisti i famshëm, Salvador Dali, si një udhëheqës i lëvizjes së surrealizmit, njihet për rikrijimet e ëndrrave dhe halucinacioneve në imazhe të jashtëzakonshme. Arti i tij ka shërbyer dhe vazhdon të ketë ndikimin e njëjtë për shumë artistë të tjerë.
Një prej tyre është fotografi kosovar Arbër Halili. Ai mbase ka një metodë tjetër të punës, por thotë se lirinë e mendjes për të eksploruar drejt një territori të fshehtë qoftë ai psikologjik, filozofik apo artistik, e ka fituar falë filozofisë së Dalit, shkruan Koha Ditore.
Ka për qëllim që me fotografitë e tij t’i lërë pa frymë ata që i shohin. Ëndërron të kapë vizionin e tij përmes objektivit të aparatit, e po ashtu edhe shpirtin dhe ndjesinë e tjetrit. Prandaj edhe në mesin e fotografive të tij gjen portrete të grave, që shërbejnë si muza për të, ku bukuria dhe e vërteta e tyre del në pah: qoftë përmes kompozicionit që ai përzgjedh apo ndërhyrjeve që bën në kompjuter. Realja dhe imagjinarja bëhen bashkë në fotografitë e tij.
Rezultati është surreal. Gjen reflektimin e tij ndaj peizazhit, bukurisë, kozmosit, përditshmërisë dhe çdo gjëje tjetër që ai e konsideron si potencial për rikrijim artistik. Ai është vetëm 23 vjeç, por bota e tij është e thellë dhe plot imagjinatë.