Manjati David Geffen postoi një fotografi nga izolimi i tij për tu mbrojtur nga virusi në një jaht luksoz.
Imazhi i izolimit të David Geffen nxori në pah ndarjet kryesore në botë në epokën e pandemisë coronavirusit.
“Izoluar në karantinë duke shmangur virusin. Shpresoj se të gjithë janë të sigurt”, ka shkruar miliarderi 77-vjeçar në një postim në Instagram.
Ekskursioni i Geffen në Karaibe, është një tregues tjetër se si kriza e virusit prek njerëzit në mënyrë të pabarabartë në të gjithë botën. Ndërsa të pasurit në botë kanë ikur në shtëpitë e tyre luksoze, bunkerët e krijuar me porosi ose ‘pallatet’ lundruese, punëtorët si infermierët, doktorët ose arkëtarët e supermarketeve duhet të kujdesen për të tjerët, gjatë kësaj pandemie, transmeton Telegrafi.
Varka e Rising Sun ka qenë në Karaibe që nga mesi i nëntorit. E ndërtuar për themeluesin e Oracle Corp, jahti përmban një palestër, kinema dhe bodrum vere. Mirëpo ky nuk është i vetmi jaht në Karaibe, sepse mendohet se tash kur virusi ka pushtuar botën, aty gjenden edhe shumë miliarderë të tjerë si: Roman Abramovich, Vava II, Ernesto Bertarelli.
Geffen, i cili ka një pasuri në vlerë neto prej 8 miliardë dollarë sipas Indeksit të Bloomberg Billionaires, nuk pranoi të komentojë.
Ndërsa anija mund të duket se është një strehë lundruese, ekziston rreziku që një mysafir ose një anëtar i ekuipazhit të sëmuret. Anija mund të “shndërrohej shpejt në një makth karantine” , sipas botimit të industrisë Superyacht Times .
Kompanitë e linjës së lundrimit tashmë e kanë treguar këtë. Disa prej anijeve të tij u është refuzuar hyrja në porte për shkak të shpërthimit të virusit midis pasagjerëve dhe ekuipazhit.
“David Geffen ka një pasuri prej 8 miliardë dollarë! Për hir të Zotit, ndihmoni këtë vend të ketë ventilatorë, maska për punonjësit tanë të kujdesit shëndetësor dhe furnizimet mjekësore që u duhen! Ose jo, thjesht qëndroni në jahtin tuaj, kjo është thjesht e turpshme dhe groteske”, thuhet në një nga mijëra kritikat që Geffen mori.
Geffen ndryshoi profilin e tij në Instagram në privat menjëherë pas postimit të së shtunës.