Gjashtë cikle fotografish të realizuara në qytete të ndryshme ndër dekada do të zënë vend në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Fotografitë e Luka Mjedës, në një konferencë për media të organizuar nga GKK-ja të hënën, janë cilësuar si një krijimtari me diversitet.
Kuratori i ekspozitës, Afrim Spahiu, ka thënë se Mjeda, i cili jeton në Kroaci, është një krijues i dorës së parë në fushën e fotografisë artistike.
“Një artist që ka edhe rrënjët shqiptare të një babai që dikur ka realizuar në këtë fushë me mjeshtërinë e vjetër analoge, i cili i ka përcjellë në një mënyrë direkte apo indirekte të gjitha ato fshehtësi të asaj magjie që quhet fotografi”, ka thënë Spahiu, i cili po ashtu është anëtar i Këshillit Drejtues të Galerisë Kombëtare të Kosovës, shkruan sot “Koha Ditore”. Spahiu ka thënë se artistin Luka Mjeda e njeh dhe krijimtaria e tij shquhet për nga diveristeti.
“Është ndër fotografët që vepron dhe krijon në shumë dimensione. Mundohet të kapë, të jetësojë, në mundësojë tërësinë e një koncepti gjigant në rrugëtimin e tij të mëvonshëm dhe që mbështillet me një cikël të fotografive që ai sot na prezanton në gjashtë cikle”, ka thënë Spahiu. Sipas tij në këtë tërësi të këtij prezantimit ekziston edhe një hapësirë e vogël që do të prezantojë disa nga botimet që kanë zënë vend në revistat e shquara të kohës.
“Luka njihet me një dimension të një artisti edhe të fushës së dizajnit pasi ka bashkëpunuar edhe me artistë të njohur nga kjo fushë. Kontributin e tij e ka frymuar me anë të fotografisë në kompensim të asaj që quhet fjalë, e bukura apo akomodim në fushën e artit pamor”, ka thënë Spahiu. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të GKK-së, Zeni Ballazhi, ka thënë se Mjeda është një artist mjaft i kompletuar.
“Shfrytëzoj rastin që edhe njëherë të falënderoj artistin që ka ardhur të ekspozojë këtu dhe e suksese në ekspozitë. Kemi shfrytëzuar edhe katin e dytë dhe secila hapësirë ka një koncept ose nga një cikël”, ka thënë Ballazhi.
Në fjalën tij Luka Mjeda fillimisht ka thënë se shqipja e tij nuk është shumë e mirë.
“Kam nderin dhe kënaqësinë që jam në Kosovë në këtë Galeri dhe jam pak i emocionuar. Sot në art bëhet një koncept e pastaj flitet se çfarë kanë menduar se është ai koncept. Unë kam filluar të fotografoj çfarë kam në zemër e mendje, e pas 20 viteve e kam parë që e kam një koncept”, ka thënë ai. Ka treguar se fotografitë janë bërë me fotoaparat analog dhe bardhezi. Ka shpjeguar se në fotografi janë qytete të Amerikës e të Evropës.
“Ajo çfarë dua të them është se të gjitha qytetet janë gati një. Krejt janë arkitekturë e re dhe kur i shikon fotografitë nuk e di në cilin qytet jeni. E tash ky është një koncept që do të jetë një botë. Dikush mund ta dojë një qytet, një shtet më shumë, por do të jetë një botë pas 30 a 50 viteve”, ka thënë artisti.