Franca dhe Spanja përballen me zjarre masive, mijëra të evakuuar

Prishtinë | 29 Kor 2026 | 11:01 | Nga Ekonomia Online

Ndërsa Spanja po përballet me zjarrin më të madh pyjor të regjistruar ndonjëherë dhe Franca po kryen një nga evakuimet më të mëdha në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, shkencëtarët paralajmërojnë se zjarret ekstreme po bëhen gjithnjë e më të shpeshta në mbarë botën.

Të martën, autoritetet franceze evakuuan edhe 4.000 persona të tjerë nga vendpushimet në bregun e Atlantikut, duke iu shtuar rreth 220.000 banorëve dhe turistëve që janë larguar tashmë për shkak të zjarrit të madh në jugperëndim të Francës.

Zjarre të reja shpërthyen pranë vendpushimit Atlantik të Grand Crohot në perëndim të Bordeaux, duke i bërë autoritetet të vendosnin 23 aeroplanë dhe helikopterë për të kontrolluar flakët.

“Situata mbetet e ndërlikuar. Ende nuk jemi jashtë rrezikut,” tha Sophie Brocas, zyrtarja më e lartë shtetërore në rajonin bregdetar të Gironde, ku ndodhen Grand Crohot dhe Bordeaux.

Zjarri në Gironde ka djegur një sipërfaqe katër herë më të madhe se Parisi dhe ka sfiduar përpjekjet e zjarrfikësve nga një duzinë shtetesh.

Ndërsa në Spanjë, mijëra banorë u lejuan të kthehen në shtëpitë e tyre pasi zjarrfikësit arritën të vënë nën kontroll disa nga zjarret më të mëdha.

Megjithatë, autoritetet mbeten në gatishmëri për një valë të katërt të të nxehtit këtë verë, me temperatura që pritet të kalojnë 40 gradë Celsius të mërkurën.

Shqetësimi më i madh për zjarrfikësit spanjollë mbetet rreziku që dy zjarre të mëdha në kodrat pyjore në perëndim të Madridit të bashkohen në një vatër të vetme.

Në provincën Avila, në veriperëndim të Madridit, mbi zjarr u vu re formimi i një reje pirokumulimbusi, një lloj reje stuhie që krijohet nga nxehtësia ekstreme e zjarreve pyjore ose e shpërthimeve vullkanike.

“Ndjejmë shumë zemërim dhe pafuqi. Është diçka çnjerëzore,” tha 48-vjeçari David Gonzalez, kopshtar, duke përshkruar shkatërrimin e shkaktuar nga zjarret në Avila.

Ekspertët paralajmërojnë se vala e re e të nxehtit mund t’i përkeqësojë edhe më tej zjarret që vazhdojnë të digjen, shkruan DW.

Të ngjashme