Kuvendi i Francës të enjten e miratoi legjislacionin që marrëdhëniet seksuale me fëmijët nën moshën 15-vjeçare i cilëson si dhunim seksual dhe i dënon me deri në 20 vjet burgim, duke e afruar kodin penal të Francës me kodet penale të shumë shteteve tjera perëndimore.
Ndonëse pragu i moshës minimale të një personi për dhënien e pëlqimit për marrëdhënie seksuale ishte mosha 15-vjeçare, prokurorëve në Francë u kërkohej që të siguronin dëshmi që marrëdhënia ka qenë pa pëlqimin e njërës palë për ta siguruar dënimin e dhunimit seksual.
“Ky është një ligj historik për fëmijët tanë dhe për shoqërinë tonë. Asnjë sulmues i rritur nuk do të mund të pretendojnë në pëlqimin e një të mituri më të ri se 15 vjeç”, deklaroi ministri francez i Drejtësisë, Eric Dupond-Moretti, në Asamblenë Kombëtare.
Sidoqoftë, ka pasur shqetësime nga disa ligjvënës se caktimi i moshës minimale nën të cilën marrëdhëniet seksuale automatikisht përbëjnë dhunim seksual mund t’i kriminalizojë marrëdhëniet seksuale me pëlqimin e të dyja palëve mes një të mituri dhe një personi që është vetëm disa vite më i vjetër.
Në shtetin që për një kohë të gjatë e ka portretizuar veten si vend i romancës, abuzimi seksual kundër grave dhe fëmijëve me vite të tëra ka kaluar i pavërejtur ose i padeklaruar në instancat e larta të pushtetit dhe brenda qarqeve të personave të famshëm.