Franca iu ka dhënë shtetësinë më shumë se 12 mijë punonjësve të vijës së parë, puna e të cilëve i kishte vënë ata në rrezik gjatë pandemisë së coronavirusit nën një skemë speciale të shpejtë, transmeton Telegrafi.
“Punonjësit e vijës së parë iu përgjigjën thirrjes së kombit, kështu që është e drejtë që vendi të bëjë një hap drejt tyre”, tha ministrja e shtetësisë, Marlene Schiappa. “Vendi eci përpara falë tyre”.
“Unë mirëpres bashkatdhetarët tanë të rinj në kombësinë franceze dhe i falënderoj ata në emër të republikës. Vendi gjithashtu i falënderon ata”, ka shtuar ajo.
Në shtator të vitit 2020, ministria e brendshme ftoi ata që kishin “kontribuar në mënyrë aktive” në luftimin e krizës shëndetësore ndaj COVID-19 të aplikonin në kuadër të kësaj skeme.
Të enjten, Schiappa potencoi se 16,381 kishin aplikuar dhe 12,012 aplikime ishin miratuar.