Qeveria në Francë ka bërë të ditur të martën se personat e moshuar, me sëmundje paraekzistuese, mund të marrin vaksinën kundër COVID-19 të kompanisë “AstraZeneca”, në një ndryshim të qëndrimit paraprak.
Sipas ministrit francez të Shëndetësisë, këtë vaksinë tani rekomandohet se mund ta marrin edhe persona të moshave prej 65 deri në 74 vjeç.
Franca kishte miratuar muajin e kaluar përdorimin e vaksinës së “AstraZenecas” vetëm për personat nën moshën 65-vjeçare, duke përmendur me këtë rast mungesën e të dhënave mbi efikasitetin e saj te më të moshuarit. Vaksina, e zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, përdoret gjerësisht në Mbretërinë e Bashkuar, por disa vende të Bashkimit Evropian, përfshirë Gjermaninë, e kanë kufizuar dhënien e saj vetëm mes grupmoshave nën 65 vjeç. Rregullatori i BE-së për barnat e ka miratuar vaksinën për të gjithë të rriturit, por secili vend anëtar lejohet që t’i përcaktojë individualisht politikat e përdorimit të saj. Në janar, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kishte thënë se vaksina e “AstraZenecas” është “pothuajse joefektive” për grupmoshat e shtyra. Ky pretendim i tij asokohe ishte kundërshtuar fuqishëm nga zyrtarët dhe shkencëtarët britanikë.