Franca mbyll një xhami, autoritetet tregojnë arsyen

Prishtinë | 28 Dhj 2021 | 15:36 | Nga Ekonomia Online

Një xhami në rajonin verior francez, Oise, është mbyllur, për shkak të ligjëratave të imamit të saj, për të cilat thuhet se e mbronin xhihadin.

Xhamia në qytezën Beauvais do të mbetet e mbyllur gjashtë muaj, thonë autoritetet lokale. Prefekti i rajonin Oise tha se në ligjëratat që mbaheshin në këtë xhami, xhihadistët quheshin heronj dhe nxiteshin urrejtja e dhuna.

Dy javë më parë, ministri francez i Punëve të Brendshme, Gerald Darmanin, tha se do ta fillojë procesin e mbylljes së Xhamisë së Madhe të Beauvais-it, 100 kilometra në veri të Parisit, sepse imami po i shënjestronte të krishterët, homoseksualët dhe hebrenjtë në ligjëratat e tij.

Një avokat i shoqatës që e menaxhon këtë xhami i tha gazetës “Courrier Picard” se deklaratat e imamit janë nxjerrë nga konteksti, duke shtuar se imami ka qenë duke folur vullnetarisht dhe është pezulluar nga detyra, shkruan BBC, përcjell Gazeta Express.

Megjithatë, Ministria e Brendshme tha se burri, i cili “u prezantua si folës i rastit, por i cili, në të vërtetë, vepron si imam i rregullt, ka mbrojtur një praktikë rigoroze të Islamit dhe superioritetin e saj ndaj ligjeve të Republikës”.

Vitin e kaluar, Darmanin kishte njoftuar për fillimin e masave kundër xhamive me lidhje ekstremiste, duke thënë se disa do të mbyllen, nëse zbulohet se e kanë inkurajuar separatizmin.

Ky ishte reagim ndaj heqjes së kokës së mësuesit Samuel Paty dhe therjes fatale të tre personave në një katedrale në Nice në tetor të vitit të kaluar. Raportohet se mësuesi ishte vrarë nga një i ri, pasi kishte publikuar karikatura të profetit Muhamed para nxënësve.

Të ngjashme