Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se vendi i tij do t’i investojë katër miliardë euro në produkte shëndetësore strategjike, përfshirë maskat dhe respiratorët me qëllim që të plotësohen nevojat e brendshme deri në fund të këtij viti.
“Prioriteti ynë sot është ta fillojmë prodhimin në Francë tash e tutje”, tha presidenti Macron gjatë një vizite në një fabrikë për prodhimin e maskave në rajonin Maine-et-Loire, shkruan “The Guardian”.
“Ne duhet të prodhojmë në Francë, në territorin tonë nga tani e tutje. Disa produkte dhe materiale të caktuara kanë rëndësi strategjike dhe ne kemi nevojë që Evropa të jetë e pavarur në prodhim për ta zvogëluar varësinë”, shtoi ai.
Presidenti francez dhe qeveria e tij janë kritikuar për mungesë të kontributit në luftimin e krizës dhe njoftimi për prodhimin e maskave e nxiti reagimin e partive opozitare.
“Ah, ai ka filluar të kuptojë. T’i rivendosim linjat e prodhimit! Pak më shumë përpjekje!”, shkroi në Twitter Jean-Luc Melenchon nga partia e së majtës ekstreme, “La France Insoumise”.
Prodhimi i maskave do të shtohet nga 3.3 milionë në 15 milionë, por zyrtarët francezë kanë pranuar se nevojiten edhe më shumë maska në situatën nëpër të cilën po kalon vendi.