Ministri francez për Çështje Evropiane, Clement Beaune, të enjten konfirmoi për televizionin LCI se kundër Polonisë mund të vendosen sanksione financiare, nëse dialogu me këtë shtet për një mosmarrëveshje nuk funksionon.
Këtë muaj, Gjykata Kushtetuese e Polonisë vlerësoi se disa elemente të ligjeve të Bashkimit Evropian nuk janë në përputhje me kushtetutën e vendit, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian po takohen në Bruksel për një samit dyditor. Ndër temat kryesore në agjendën e diskutimeve janë mosmarrëveshja me Poloninë dhe çmimet e larta të energjisë.
Dy ditë më parë, Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, u përplas me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke e akuzuar BE-në për shantazh dhe gjuhë kërcënuese.
Ursula von der Leyen e paralajmëroi Poloninë për masa ligjore dhe financiare, duke thënë se vendimi i gjykatës polake e rrezikon themelin e BE-së.
Kryeministri polak reagoi duke thënë se e refuzon gjuhën e kërcënimeve dhe e akuzoi BE-në për shantazh dhe për tejkalim të kompetencave.
“Shantazhi nuk duhet të jetë metodë e politikës”, tha kryeministri polak, i cili vjen nga partia nacionaliste e konservatore, “Ligj dhe Drejtësi”.
Vetëm një ditë më parë, Franca paralajmëroi masa ndëshkuese edhe ndaj Britanisë së Madhe. Një veprim të tillë të mërkurën e paralajmëroi zëdhënësi i qeverisë franceze, Gabriel Attal.
Parisi është i zemëruar nga refuzimi i Londrës për t’u dhënë leje për peshkim një pjese të peshkatarëve francezë për të peshkuar në ujërat territorialë të Britanisë dhe ka kërcënuar me masa hakmarrëse.