Mijëra punëtorë shëndetësorë të Francës që nuk janë vaksinuar kundër Covid-19 janë pezulluar nga puna, njoftoi ministri francez i Shëndetësisë, Olivier Veran.
“Dje është njoftuar për rreth 3.000 pezullime të punëtorëve në qendra shëndetësore dhe klinika, të cilët nuk janë vaksinuar ende. Dhjetëra i kanë dorëzuar dokumentet e nuk i kanë marrë vaksinat”, tha ministri francez.
Franca ka rreth 2.7 milionë punëtorë shëndetësorë gjithsej, prandaj Veran tha se vazhdimi i kujdesit shëndetësor është i siguruar, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Në korrik, presidenti Macron i dha stafit shëndetësor ultimatum për ta marrë të paktën njërën dozë të vaksinës deri më 15 shtator, duke paralajmëruar se ata që nuk binden do të pezullohen pa pagesë.
Infermierët në veçanti kanë shprehur ngurrim për t’u vaksinuar, duke i përmendur si arsye shqetësimet rreth sigurisë dhe efikasitetit të vaksinës.
Agjencia kombëtare e shëndetit publik në Francë javën e kaluar vlerësoi se rreth 12 për qind e stafit të spitaleve dhe rreth 6 për qind e mjekëve në sektorin privat nuk janë vaksinuar ende kundër Covid-19.