Një plan prej 20 miliardë dollarësh për t’i siguruar NATO-s më shumë fleksibilitet gjatë përballjes me kërcënime ushtarake, ndryshime klimatike dhe forcimin e Kinës ka hasur në rezistencë të fuqishme nga Franca, e cila ka frikë se një financim i tillë do të mund t’i minonte prioritetet e saj të mbrojtjes, thanë për agjencinë Reuters katër diplomatë dhe një burim i mbrojtjes në Francë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në shkurt të këtij viti propozoi që aleatët të dhurojnë më shumë të holla në buxhetet e përbashkëta ezkistuese e jo të varen në sistemin e tanishëm, sipas së cilit secila qeveria paguan për operacionet e veta ushtarake, transmeton Gazeta Express.
Kjo ishte përgjigje për tensionet e gjata me Shtetet e Bashkuara, të cilat thonë se aleatët evropianë nuk kontribuojnë mjaftueshëm për mbrojtjen e vet. Një marrëveshje e mundshme me presidentin Joe Biden në samitin e 14 qershorit do të mund ta ruante unitetin transatlantik, thanë dy nga katër diplomatët që folën me agjencinë Reuters.
Sidoqoftë, Franca beson se ideja për të hollat shtesë ka pak gjasë që t’iu sjellë dobi prioriteteve ushtarake franceze dhe përbën rrezik për t’i larguar vëmendjen dhe burimet nga përforcimi i kapaciteteve të dobëta mbrojtëse në mesin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
“Nëse ideja është që të rritet shumë kontributi i shteteve në buxhetet e përbashkëta dhe të ndryshohet filozofia e NATO-s, duke dalë nga përgjegjësia kombëtare në hollimin e përgjegjësisë, përgjigjja e Francës do të jetë qartazi jo”, tha një burim i Ministrisë së Forcave të Armatosura në Francë.