Franca nuk ka qëndrim lidhur me natyren apo formen e ‘kompromisit’ që do dilte nga dialogu Kosovë-Serbi. Krejt ata që e thonë të kundërten, janë jasht rrjedhave aktuale të politikës franceze dhe evropiane. Franca, sikur vendet tjera me peshë në BE, kërkon zgjidhje dhe mbyllje të dosjes kosovare, pavarësisht kush humb apo fiton në tavolinë.
Qasja e presidentit Macron është prgamatike dhe nuk ka qëllim as t’i ndihmojë njërës palë, as ta dëmtojë palën tjetër. Macron dhe Merkel janë sot dy liderët kryesorë dhe ndoshta të fundit që prioritet kanë shpëtimin e BE-së nga ndryshkja politike dhe institucionale shumëvjeçare. Kjo ndryshkje ka marrë përmasa që e rrezikojnë vet ekzistimin e BE-së në vitet e ardhshme. Macron dhe Merkel e kanë këtë hall për momentin dhe kjo pritet të marrë kohë që të riparohet.
Megjithatë, as rruga jonë drejt BE-së dhe as ajo e vendeve tjera nuk është e mbyllur. Ne, në asnjë rast nuk do jemi gati për aderim para viteve 2025-2030. Deri në këto vite, Evropa ose do reformohet duke u kthyer në organizem që mund të durojë zgjerime të reja siç kërkon Macron ose do marrë formë të re, me dy nivele integrimi: një BE e vërtetë (kjo e vjetra) me bashkim të të gjitha aspekteve politke, ekonomike dhe monetare, dhe një BE Light ose paradhomë e BE-së, si hallka e dytë e stukturës. Në këtë skenar, ne do mbesim në hallken e dytë.
Franca është aleta e jona por edhe e Serbisë. Ajo që Franca thotë Serbia e dëgjon me vëmendje. Dhe kur Franca thotë se Kosova është shtet që duhet të pranohet, Serbia e di që aty s’ka më përralla historike as nacionaliste. Thjesht, Franca kërkon që të mbyllen dosjet e çuditshme ballkanike dhe vendet tona të dalin edhe nga cikli i historisë trazuese edhe nga cikli i politikës biznes.
Dialog duhet të ketë por jo për kompromise të reja. Ne s’kemi çka të japim më, as tokë as shtet. Mendoj që Kosova është çështje e mbyllur në aspektin politik dhe kjo duhet të jetë vija strategjike e qeverisë sa herë të takohen me liderë të jashtëm apo sa herë të dialogohet me Serbinë. ka plot gjëra që duhet sqaruar me Serbinë por ato s’janë politike ose të pakten ne s’duhet t’i shohim si të tilla.
Ajo që Kosova duhet të kërkojë, është pranimi i saj nga të gjitha vendet e BE-së duke propozuar stategji të qartë integruese për serbët e Kosovës dhe pakicat tjera. Nuk ka lider aq të çmendur në Evropë që do ta preferojë një Bosne të dytë në vend të një shteti funksional. Edhe Franca edhe Gjermania e madje edhe Spanja preferojnë zgjidhje që nuk lë hapur ambicie etnikisht të ndezura. Këto gjëra duhet Kosova t’ua sqarojë edhe presidentit francez edhe kancelares gjermane. Kosova duhet ta nxjerrë si rast studimi faktual organizimin jofunksional të Bosnes dhe t’i thotë secilit që Ballkani nuk ka nevojë për një vatër të dytë ndezëse. As Evropa s’ka nevojë për këtë.
Le të dihet që askush në Paris apo BE nuk i kërkon kompromis të dhimbshëm Kosovës. Këtë opsion e kanë hapë disa aventurierë politikë me legjitimitet të trafikuar në Kosovë e Shqipëri. Kësaj aventure duhet t’i thuhet jo dhe të propozohet plan që do ta pranonin aleatët tanë.
Ky plan është Kosova shtet funksional, as e coptuar as e korrigjuar.