Parisi zyrtar pret që Kosova të pezullojë taksën 100 % ndaj mallrave serbe, ndërsa Serbia të pezullojë fushatën e saj lobuese për çnjohje të Kosovës. Me këto, do hapet mundësia e rifillimit të dialogut, i cili do të vazhdojë të zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Kështu ka thënë ambasadorja e Francës në Kosovë, Christine Butel, në një intervistë për Kohën Ditore.
Ambasadorja Butel ka shtuar se në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE mbështetje do të ofrojë edhe Franca. Diplomatja franceze ka folur edhe për çështjet tjera aktuale politike, përfshirë heqjen e taksës ndaj mallrave serbe, si dhe mundësisë së vendosjes së masave të reciprocitetit ndaj Serbisë. Ajo ka thënë se tani secila palë duhet të kujdeset që të mos ndërmarrë ndonjë masë tjetër që mund të rrezikojë rifillimin e dialogut.
Ambasadorja e Francës ka folur edhe për reformat e brendshme dhe perspektivën evropiane të Kosovës, si dhe sfidat kryesore me të cilat përballet Kosova. Duke adresuar çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, ambasadorja Butel ka thënë se ende nuk janë përmbushur kushtet që ndërlidhen me funksionimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër krimit të organizuar.