Ministria e Shëndetësisë e Francës ka raportuar për 4982 raste të reja me koronavirus të martën, që është një rritje për dallim nga një ditë më parë kur u regjistruan 3082 raste, shkruan agjencia Reuters.
Në Francë numri i të infektuarve është duke u rritur. Javën e kaluar brenda një dite ishin regjistruar afro 7400 raste të reja.
Po ashtu në 24 orët e fundit në Francë kanë vdekur 26 persona shkaku i COVID-19, duke e çuar shifrën totale në 30.661. Ndërkohë numri total i të infektuarve ka shkuar në 286.007.
Më tepër se 12 milionë fëmijë në Francë janë kthyer në bankat shkollore të martën, pas pesë muajve qëndrimi larg shkaku i pandemisë dhe pushimeve verore.
Fëmijët e moshës mbi 11 vjet janë të detyruar të mbajnë maska në klasë. Po ashtu është bërë obligim mbajtja e maskave edhe në vende të punës, si zyre apo fabrika.