Deputeti i Alternativës, Ilir Deda, ka thënë se shteti i Francës është kyç në kundërshtimin e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Franca është shteti kyç kundër liberalizimit të vizave dhe argumentet e tyre s’kanë të bëjnë me Kosovën. Ne me Francën nuk kemi mënyrë që të komunikojmë, sepse ata s’po duan të komunikojnë”, ka thënë Deda.
“Franca është e papërgjegjshme me rajonin dhe stabilitetin rajonal. Sepse politika e tyre po e destabilizon Kosovën dhe rajonin. I mas fjalitë çka i them”, është shprehur Deda në Klan Kosova.
Deputeti opozitar ka thënë se Kosova nuk do të ketë asnjë faj nëse në dhjetor BE nuk i liberalizon vizat.
“S’ka kurrfarë faji Kosova. Ata nuk mund të shpikin argumente pse Kolumbia, Gjeorgjia…, mund të lëvizin pa viza ne jo. Ky është momenti i së vërtetës. E kemi kaluar me 2/3 në Parlamentin Evropian. Vendimi është dashur të merret në muajin tetor. Nuk meriton populli ynë ta paguajmë çmimin e vendeve të rajonit. Nuk do të ketë valë të emigrimit. Nëse Evropa dëshiron të tregojë kredibilitet e ka dhjetorin për ta treguar. Dua të flas me data sepse dhjetori është muaji kur mund të merret vendimi, sepse nuk do të merret as vitin tjetër”.