Televizioni francez, France 24 e ka bërë një reportazh nga veriu i Kosovës, ndërsa ka raportuar për përpjekjet e institucioneve të vendit për ta integruar popullatën serbe.
Kosova veriore është shtëpia e një pjese të madhe të pakicës serbe të vendit. Për një kohë të gjatë, ky rajon, i cili është ngjitur me Serbinë, ka funksionuar nën sistemin administrativ serb, pavarësisht pavarësisë së Kosovës nga Beogradi. Kjo pasi popullata vendase e refuzon autoritetin e Prishtinës. Por që nga marrja e pushtetit në vitin 2021, qeveria e re e Kosovës ka qenë shumë më e ashpër ndaj Serbisë dhe popullatës serbe të Kosovës. Kryeministri Albin Kurti po përpiqet t’ia imponojë popullatës serbe të rajonit ndarjen përfundimtare nga Serbia, shkruan mediumi francez.
Veton Elshani, zëvendrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut i tha televizionit se “strukturat paralele janë problemi më i madh” në atë pjesë të vendit.
“Duhet t’i heqim këto struktura paralele ose duhet t’i fusim në sistem”, tha Elshani.
“Kur erdha këtu, në nëntor 2022, pata përshtypjen se çdo gjë po futej kontrabandë këtu. Pra, tani, kjo u ndal. Kemi ndërprerë mbi 20 rrugë ilegale”, tha ai.
Për rrjetin televiziv francez të lajmeve ka folur edhe Bislim Zeka, një polic nga Njësia për Reagim të Shpejtë në Mitrovicën e Veriut.
Polici i ri në moshë kujtoi sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
“Ishte pothuajse luftë atë ditë”, kujtoi ai, duke shtuar se pas 12 orësh situata ishte përmirësuar.
“Që atëherë situata është qetësuar dhe Policia e Kosovës është fokusuar në luftimin e kontrabandës, domethënë importimin e produkteve nga Serbia”, tha ai.
Zeka ndërkohë po patrullonte me veturë përreth kufirit me Serbinë.
Në një rrugë tjetër të ngarkuar, kontrollet janë të vazhdueshme. Individët që vijnë nga Serbia lejohen të kalojnë vetëm me një sasi të kufizuar të parave dhe medikamenteve. Të gjitha mallrat e tjera serbe janë sekuestruar, raporton France 24.
Megjithatë, në veri të Kosovës disa shërbime publike janë të lidhura me Serbinë. Këtu përfshihet edhe spitali të cilin institucionet kosovare e konsiderojnë si strukturë paralele ilegale.
Mediumi francez ka marrë edhe prononcime nga serbët. Njëri prej tyre, në fillim ankohet për çështjen e dinarit, ndërsa këtë e bën edhe kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, që gjithashtu është drejtor i spitalit.
“Nuk ka qenë kurrë aq e vështirë sa tani, jo vetëm për mua, për të gjithë banorët e veriut. Për shembull, sot pas punës do të detyrohem të shkoj në Serbinë qendrore për ta tërhequr rrogën time në para të gatshme”, thotë ai.
Ndalimi i dinarit është vetëm një masë ndër të tjera në përpjekje për ta integruar popullsinë serbe. Duke filluar nga vera e vitit 2023, të gjitha importet serbe u ndaluan, raporton France 24.
Në veri të Kosovës, shumë flasin për largim të përhershëm ose në Serbi ose diku tjetër pasi kushtet e jetesës po përkeqësohen. Mijëra njerëz janë larguar tashmë në vetëm pak muaj, raporton televizioni.