Incidente të dhunës kanë shoqëruar protestat që po zhvillohen në mbarë Francën kundër reformës së pensioneve të qeverisë së presidentit Emmanuel Macron, raporton Aandolu Agency (AA).
Dhjetëra mijëra protestues kanë shkaktuar paralizimin e jetës në vend, ndërkohë që policia ka intervenuar ndaj demonstruesve në Paris të cilët i kanë vënë zjarrin një kafeje, semaforëve dhe disa motoçikletave elektrike.
Në protestat të përhapura në gjithë Francën marrin pjesë rreth 200 mijë protestues, ndërsa përplasje midis protestuesve dhe policisë janë regjistruar edhe jashtë Parisit.
Ndërkohë, sindikatat kanë njoftuar se greva që ka paralizuar vendin do të vazhdojë deri të hënën.
Sipas mediumeve lokale, vetëm në kryeqytet deri më tani janë arrestuar mbi 70 persona, ndërsa tashmë janë anuluar 20 për qind e flturimeve të nesërme.
Masat e jashtëzakonshme të sigurisë në Paris
Policia në Paris ka marrë masa intensive të sigurisë duke vendosur barrikada përreth ndërtesës së Presidencës si dhe duke mobilizuar 6.000 policë, nga të cilët 180 me motorë.
Për shkak të protestave ku kanë marrë pjesë edhe “jelekët e verdhë”, janë anuluar një pjesë e madhe e udhëtimeve të trenave të shpejtë, ndërsa është mbyllur kulla Eiffel, e cila është dhe simbol i vendit.
Sipas medias lokale, mësohet se 80 për qind e mësuesve në shkollat fillore kanë bojkotuar mësimin.
Reagimi ndaj reformës së pensioneve
Pas protestave të jelekëve të verdhë, sot në Francë punonjësit e shumë sektorëve filluan grevë të përgjithshme pa afat në të gjithë vendin, me qëllim për të reaguar kundër reformës së pensioneve të përgatitur nga qeveria e presidentit Emmanuel Macron.
Reforma në fjalë parashikon ndarje në pensionet për punëtorët dhe punonjësit e sektorit publik, rritjen graduale të moshës së pensionit nga 62 në 64 vjeç, si dhe ndikim negativ ndaj shumë sektorëve të tjerë.
Në mesin e pjesëmarrësve në grevë janë punonjësit e RATP (Rregullatorët e transportit publik) në Paris dhe përreth tij, kompania kombëtare franceze e hekurudhave (SNCF), punonjësit e kompanisë ajrore Air France, policët, mjekët, infermierët, punonjësit e spitaleve, studentët, punonjësit e postave, punonjësit e sektorit publik, avokatët, punonjësit e bujqësisë, ekipet e shëndetësisë për ambulancat, drejtuesit e taksive, mësuesit, punonjësit e kompanisë shtetërore për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike EDF, shoferët e transportit, punonjësit e urgjencës në spitale, punonjësit e kompanisë Renault dhe punonjësit e rafinerisë.