Selektori i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, mbajti sot një konferencë për shtyp ku shprehu synimet e qarta të Dardanëve para ndeshjes më të rëndësishme në historinë e tyre, raporton Ekonomia Online.
Trajneri gjerman tha se Kosova dhe Turqia kanë gjasat e barabarta për fitore në finale të “play-off”-it të Botërorit, ndërsa shtoi se qëllimi i tij është ta çojë Kosovën në Botërorin 2026.
Ai foli gjithashtu për Edon Zhegrovën, i cili nuk u aktivizua në lojën me Sllovakinë, duke dhënë shpresa për pjesëmarrjen e tij në ndeshjen me Turqinë:
“Turqia ka shumë lojtarë kualitativ, por edhe ne kemi të tillë. Gjasat janë 50-50, ne do të bëjmë të pamundurën për fitore.”
“Kam besim te të gjithë lojtarët, edhe te Zhegrova. Secila lojë ka situatat e veta. Nesër ka gjasa që Edoni të luajë nga fillimi.”
Foda shtoi se ekipi i tij i njeh forcat dhe dobësitë e Turqisë, dhe se Kosova do të tentojë kundërsulme sa herë që e ka topin.
“Nuk jam parashikues i së ardhmes, nuk e di se sa do të zgjat ndeshja, por ne jemi të përgatitur për çdo gjë.”
Trajneri gjerman përmendi edhe objektivin e tij që nga ardhja te Kosova:
“Kur kam ardhur te Kosova, fillimisht qëllimi ka qenë kualifikimi në EURO, mirëpo situata na solli që jemi për Botëror në rrugë të mirë. Do të ishte arritje e madhe për karrierën time nëse shkojmë në Botëror.”
Kosova dhe Turqia do të përballen nesër mbrëma në finalen e “play-off”-it të Botërorit 2026 në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke filluar nga ora 20:45.


