Frashër Krasniqi nga PSD-ja i është drejtuar me një letër ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, duke i kërkuar informacione rreth hetimit të vdekjes së aktivistit Astrit Dehari, si dhe ndaj rastit ku para 5 vjetëve u arrestuan gjashtë aktivistë të VV-së, ku në mesin e tyre ishe edhe Krasniqi.
Letra e plotë:
LETËR DREJTUAR MINISTRES SË DREJTËSISË
Znj. Albulena Haxhiu,
Tash 5 vite, njësiti anti-terror i Policisë së Kosovës, pat intervenuar në orët e hershme të mëngjesit, me një bujë të madhe mediale, duke arrestuar 6 aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Besoj ju kujtohet. Në mesin e të arrestuarve ishte Adea Batusha, Astrit Dehari, Atdheu Arifi, Egzoni Haliti dhe unë. Akuzoheshim për terrorizëm. Besoj e mbani mend. Dy muaj më vonë, në burgun e Prizrenit, vdiq Astrit Dehari, shok e bashkaktivist i yni. As këtë nuk besoj se e keni harruar. Ishte rast politik, i montuar e i manipuluar, dhe si të tillë e denoncuam dhe e dekonstruktuam bashkë.
E humbëm një shok; i humbëm nja 2 vite të mira të jetës duke u rropatur nga arresti shtëpiak në burg; nga dënimet me 20 vite burgim në kthim të lëndës për rigjykim; nga akuzat publike për terroristë tek përbaltjet e vuajtjet që pësuan familjet tona; nga një rast politik e publik që përcillej me pompozitet të lartë, në një proces të pafund që ende rëndon mbi ne.
Sot, ju jeni në krye të Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa ne po e presim ende gjykimin. Më e pakta që mund të pritej nga një ministre që takon në “partinë e persekutuar” do të ishte prioritizimi i çështjeve në drejtim të funksionalizimit të mekanizmave që hetojnë dhe pamundësojnë përsëritjen e rasteve të tilla. Cili është vizioni juaj që raste të tilla të mos mund të ndodhin?
Kusht për drejtësi për Astritin dhe për një proces të drejtë gjyqësor është adresimi me urgjencë i problemit në të gjitha instancat e mundshme që shkaktuan vdekjen e tij në veçanti, si dhe hapësirat/mungesat në tërësinë e sistemit të drejtësisë.
Nëse nuk keni ndërmarrë ende asnjë hap në këtë drejtim, me çka na siguroni që këto raste nuk do të përsëriten. Mungesa e vëmendjes, neglizhenca dhe anashkalimi lënë hapësirë të dyshohet se nuk jeni të interesuar për të vërtetën dhe se atëherë kur e kërkonit drejtësinë më tepër i shërbente propagandës për viktimizim, sesa ndriçim të rastit.
Ministre Haxhiu, ndërmarrja hetimore, ndërtimi i mekanizmave, përmes komisioneve përkatëse për hetim në hollësi dhe gjetjen e shkaqeve që dërguan në vdekjen e Astrit Deharit dhe investimi në mekanizma që pamundësojnë burgojset politike janë jetike për një shoqëri demokratike.
Sot ju keni pushtetin për ta zbardhur këtë rast. Prandaj po ju drejtohem me disa pyetje:
1. Nëse ende besoni që ky rast është i montuar, çfarë po bëhet që të zbulohet se kush montoi dhe cilat ishin motivet? Ky problem kërkon adresim sistemor të mundësive që ekzistojnë për keqpërdorim të pushtetit, apo jo?
2. A e dini që Beqir Kalludra, “gjyqtari i PRONTO-s” (siç e quanim) është avancuar në detyrë duke u bërë gjykatës apeli? A keni kërkuar ndonjë llogari për këtë? A keni kërkuar a inicuar ndonjë hetim ndaj tij?
3. A keni kërkuar nga Ministrit Sveçla, të ju jap informacione mbi “Grupin e PRONTO-s brenda Policisë së Kosovës” që pretendonim se e montuan rastin?
4. A KENI NISUR HETIM APO NDONJË PROCEDURË QË ADRESON VDEKJEN E ASTRIT DEHARIT? Kush është duke u hetuar? Në cilën fazë ndodhet hetimi? Çfarë pista po ndiqen? Kush janë prokurori e gjykatësi i rastit?
Këto pyetje marrin legjitimitet pikë së pari nga deklaratat tuaja për zbardhjen e rastit.
Sot jeni në pushtet. Asnjë fjalë a hetim. Asnjë veprim të vetëm për Astritin. I shkoni vetëm tek varri në përvjetorë e ditëlindje. A ju kujtohet kur i akuzonim politikanët që shkojnë tek varret e dëshmorëve, sepse i cilësonim veprime simbolike që fshehin braktisjen e idealeve të tyre? Njëjtë ju sot, shkoni në përkujtime për ta ushqyer harresën e mosveprimit. Loja me simbole është lojë me fatet e njerëzve.
Por ne nuk ju shoqëruam. Qëndrojmë në botë antagoniste me pushtetin. Mosangazhimi në këtë drejtim është i frikshëm, Por lufta ndaj tendencave totalitare nuk do të heshtet e nuk do të ndalet. Propagandës tuaj po i bie maska.