Fried: Prishtina përgjegjëse për krizën aktuale, s’mbaj mend diplomat amerikan më të zemëruar se Hovenier në bisedën me gazetarët

Prishtinë | 02 Qer 2023 | 09:31 | Nga Ekonomia Online

Ish-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Daniel Fried, ka folur lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës. Fried ka thënë se se situata e krijuar në veri të Kosovës i ka rrënjët tek mospranimi nga Serbia i realitet të pakthyeshëm të pavarësisë së Kosovës, por se përgjegjësia për vendimarrjen që çoi në incidentet e fundit rëndon mbi Kosovën.

Ish-diplomati amerikan ka deklaruar se qeveria e Kosovës duhet ta pranojë se ka gabuar dhe të tërhiqet.

Fried ka thënë se nuk e mban mend që nga vitit 2008, një përfaqësues i qeverisë amerikane të ketë qenë aq i zemëruar sa dukej ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në konferencën me gazetarë.

Sipas tij, marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës janë përkeqësuar fort.

“Në të njëjtën kohë, kriza e tanishme duket se është shkaktuar nga gabimet e qeverisë së Kosovës. Pra, në tërësi, Serbia mund të ketë përgjegjësi, për këtë gjendje të çuditshme, por kriza e tanishme është diçka që ka shkaktuar, do të thosha, zemërimin e Shteteve të Bashkuara. Nuk e përdor lehtë këtë fjalë, por lexova deklaratën e plotë të zotit Hovenier, ambasadorit amerikan në Kosovë, në konferencën me gazetarët. Dhe që nga pavarësia e Kosovës në vitin 2008, nuk mbaj mend që një përfaqësues i qeverisë amerikane të ketë qenë aq i zemëruar, sa dukej ai. Mendoj se qeveria e Kosovës me siguri e ka marrë vendimin në rrethana të vështira, por vendimi e përkeqësoi shumë më tepër situatën, që edhe më parë ishte e komplikuar. Kjo ka rezultuar në përkeqësimin e fortë të marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Kosovën. Dhe kjo nuk i shërben askujt. Është për të ardhur keq”, ka deklaruar Fried, në një intervistë për shërbimin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës.

Fried ka thënë se përqëndrimi i Hovenier tek përgjegjësia e qeverisë së Kosovës, ishte një shenjë se Shtetet e Bashkuara janë seriozisht të zemëruara me vendimet e qeverisë së Kosovës.

“Nuk mendoj se protestat dhe vënia në gatishmëri e ushtrisë serbe janë të dobishme. Por vura re se, në konferencën për mediat, ambasadorit Hovenier iu dha mundësia, që të ngarkonte me përgjegjësi të dyja palët, dhe ai nuk e bëri këtë. Ai u përqendrua tek përgjegjësia e qeverisë së Kosovës. Kjo më la përshtypjen, se ishte një shenjë se Shtetet e Bashkuara janë seriozisht të zemëruara me vendimet e qeverisë së Kosovës”, ka deklaruar tutje Fried.

Të ngjashme