Fried: Strategjia aktuale e SHBA-së s’e kritikon mbështetjen ndaj Kosovës, ne s’donim një version të vogël të Serbisë së Millosheviqit

Prishtinë | 14 Dhj 2025 | 15:35 | Nga Ekonomia Online

Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Daniel Fried, duke folur për Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së të përpiluar nga Administrata Trump, thotë se ajo ndan vlerat nga interesat, bie ndesh me politikat tjera amerikane dhe favorizon të djathtën radikale në Evropë, në kundërshtim me vetë qëllimet strategjike të SHBA-së.

Mospërfshirja e Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi në strategji, sipas Friedit, reflekton si uljen e urgjencës së krizës atje, ashtu edhe pritshmërinë që Evropa të marrë rolin kryesor.

Ai shton se, me tonin ideologjik të strategjisë së re, ndoshta është edhe “më mirë” për Kosovën që të mos përmendet fare.

“Strategjia mund ta kishte shpërfillur lehtësisht Ballkanin si çështje të Evropës dhe jo të SHBA-së. E, madje, mund ta kishte kritikuar edhe fokusin tonë të mëparshëm në Ballkan… se pse jemi përfshirë për shtetndërtimin e Kosovës apo për çështjet e të drejtave të njeriut, që na kanë çuar në konflikt ushtarak”, thotë Fried për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Megjithatë, sipas tij, konfuzioni është i dukshëm edhe në vetë kryeqytetin e vendimmarrjes botërore – në Uashington.

Kongresi atje po shtyn përpara Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare, i cili bie ndesh me Strategjinë Kombëtare.

Ai synon të forcojë angazhimin ushtarak të SHBA-së në Evropë dhe të rrisë vëmendjen ndaj bashkëpunimit të Rusisë me Kinën dhe Korenë e Veriut.

Ligji garanton 76.000 trupa amerikane në Evropë, ndalon tërheqjet e mëdha të pajisjeve dhe vazhdon mbështetjen për vendet baltike, për të frenuar Rusinë.

Në pjesën për Ballkanin Perëndimor thuhet, mes tjerash, se “është në interes të përbashkët të SHBA-së dhe vendeve të këtij rajoni që ato të kenë rritje dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm”.

Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë e vlerëson si “hap pozitiv përpara në avancimin e normalizimit midis dy vendeve” dhe thekson se ato duhet të përpiqen të bëjnë përparim të menjëhershëm në zbatimin e saj.

“Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të mbështesin një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë bazuar në njohjen reciproke”, thuhet, po ashtu, në atë dokument.

Fried thotë se gjuha në Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare është “krejtësisht e kundërta” me atë të strategjisë.

“Ajo vendos kufij mbi aftësinë e administratës për të tërhequr trupat nga Evropa. Ky është edhe një dokument republikan. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, e ka mbështetur atë”, thotë Fried.

Për shkak të këtyre kontradiktave, siç i quan, Fried sheh edhe “një shpresë relative” – se SHBA-ja nuk është aq e vendosur të tërhiqet nga Evropa sa mund të sugjerojë strategjia.

Fried, në anën tjetër, është më paralajmërues: sipas tij, rajoni do të bëhej më i cenueshëm nëse Shtetet e Bashkuara zvogëlojnë praninë dhe angazhimin e tyre.

Ai vlerëson se Rusia dhe Kina do ta shfrytëzonin një boshllëk të tillë amerikan në mënyra të ndryshme, por plotësuese.

“Kina do të përpiqet të blejë infrastrukturën dhe nyjet kyçe, për të fituar kontroll mbi më shumë sektorë të ekonomisë. Rusia do të përpiqet t’i përdorë disa vende si agjentë, për të shfrytëzuar dobësitë e tyre dhe për të krijuar kaos sa herë të mundet. Në secilin rast, të dyja vendet do ta shohin Ballkanin si një fushë për realizimin e ambicieve të tyre më të gjera”, thotë Fried.

Fried thotë se Evropa, veçanërisht BE-ja, duhet ta marrë udhëheqjen në stabilizimin e Ballkanit Perëndimor, sepse e ardhmja më e qëndrueshme e rajonit është brenda BE-së.

Ai nënvizon se BE-ja duhet ta ketë fuqinë për të frenuar elementet agresive në Beograd, që veprojnë për nxitjen e konflikteve të reja në Kosovë ose për ta mbajtur Bosnjën të ndarë përgjithmonë.

Sipas tij, kur Evropa ta marrë plotësisht këtë përgjegjësi, hapësira për Rusinë dhe aktorët e tjerë destabilizues për të luajtur lojëra në Ballkan, do të zvogëlohet ndjeshëm.

“Evropa duhet ta marrë udhëheqjen tani. Kur ka dështuar, SHBA-ja është detyruar të ndërhyjë. E kuptoj këtë, por problemi real i takon Evropës, sepse e ardhmja më e mirë e këtyre vendeve është brenda Evropës – nëse duan të arrijnë potencialin që meritojnë”, thotë Fried.

Bashkimi Evropian konfirmon vazhdimisht angazhimin e tij për perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Samiti i radhës BE-Ballkani Perëndimor do të mbahet më 17 dhjetor në Bruksel. Prej vendeve të rajonit, vetëm Kosova nuk është ende kandidate për anëtarësim.

Fried thekson rëndësinë që Kosova të jetë një shtet demokratik dhe jo një projekt nacionalist, që pasqyron pjesën më të keqe të së kaluarës së Serbisë.

“Unë kam qenë pjesë e vendimit të SHBA-së për të mbështetur pavarësinë e Kosovës, dhe ky ishte vendim i duhur. Flamuri i Kosovës është i shkëlqyer: nuk përfaqëson një komb të vetëm, por të gjithë banorët e vendit, dhe është i modeluar sipas flamurit të BE-së. Ai simbolizon qartë të ardhmen e Kosovës në Evropë për të gjithë qytetarët e saj. Marrëveshja jonë me Kosovën ishte: ne do të mbështesim pavarësinë, por ju duhet të punoni për një Kosovë demokratike, jo nacionaliste. Ne nuk duam një version të vogël të Serbisë së Millosheviqit”, përfundon Fried.

Të ngjashme