Frika është armë kryesore e manipulantëve

Prishtinë | 29 Sht 2022 | 20:09 | Nga Kimete Berisha

Edhe në dimër çel një lule!

Prej se e bëri veten kryemjek, Albin Kurti po sheh vetëm pacientë.

Frika është armë kryesore e manipulantëve.
Kur e frikëson dikë-e pushton, e mban nën kontroll, bën çfarë të duash me të, prandaj kryeministri nuk ka lloj frike që nuk po e provon mbi shqiptarët: t’i ‘vras’
me frikë, e pastaj t’i udhëheq ‘të vdekur’ që nuk ankohen as nuk i lypin asgjë.

  • Do të ketë luftë.
  • Një rrezik i madh vjen nga Rusia.
  • Do të vazhdojē eksodi i shqiptarëve.
  • Do të ikin mjekët e infermierët!
  • Do të ikin punëtorët e sektorit privat.
  • Dimri do të jetë i vështirë.
  • Izoloni shtëpitë se nëpër vrima hyn murrlani në dhomat tuaja.
  • Lajuni në mënyrë kolektive.
  • Hani në një sahan.
  • Pini me një bardak.
  • Visheni një pallto, me ndërrime.
  • Vishni çorape një-përdorimshe.
  • Mos lexoni portale shqip se janë të Beogradit.
  • Lexoni dhe dëgjoni vetëm ato që i them unë.
    Sepse vetëm unë dhe qeveria ime e thotë të vërtetën.
  • Albin Kirti parashikon ditë të zeza për shqiptarët, por askush nuk tutet.

Sepse, shqiptarët i kanë provuar dhe mbijetuar ato lloje të frikave me të cilat po kërcënon kryeministri.

Shqiptarët janë rritur me idiomat:
Frikën e bart për s’rëndi’-
Kush del n’Shëngjergj i gjallë e shtyn edhe një vit jetë.

Kryeministri po përhap panik masiv.
Nga qeveria e tij vijnë vetëm lajme trishtuese.

Pse?
Sepse, kur njerëzit frikësohen – e humbin aftësinê e gjykimit dhe dorëzohen.

Kur rinia e dëgjojnë parashikimin e kryeministrit për uri, varfëri, eksod, dimër të tmerrshëm, dhe luftë…mund të sëmuren nga frika.

Kryeministri nuk po e frikëson vetëm familjen e tij.

  • Nuk mund ta frikësosh me uri popullin e Nënës Terezë.
  • Nuk mund ta frikësosh me luftë – popullin e UÇK-së që e ka përjetuar dhe fituar luftën.
  • Nuk mund ta frikësosh me dimër – popullin që për jetë të jetëve i kanë rënë gishtat thonjsh.

Të duhet ta shpikësh një frikë të Re.

Shqiptarët turpërohen t’i tutën dimrit.
Frigofobia – frika nga dimri – nuk kryen punë tek një popull që i kanë sharruar këmbën në borë deri te kukat,
e kur është kthyer në shtëpi, as i ka ndier gishtat e duarve as të këmbëve (E gëzumja – hunda e ka zanat të ngrihet e para).
Dhe shkrirja e gishtave u bë në furrë të shporetit.
Ka pasur raste që je mbet pa kundër, se u çkap ngjitësi i kundrës afër zjarrit, janë shkrirë – aq shumë nuk e ka ndjerë këmbën bartësi i kundrës.

  • Profecia e Albin Kurtit është si gjykata speciale – njëetnike.
    Nuk parashikon asnjë të keqe për serbët.

E neve kryeministri na duhet për dimër, se për verë jemi vetë.
Ama, kryeministrin e kemi tip veror.

Aq shumë ka manipuluar, sa ka kujtuar se e manipulon edhe të paparashikueshmen, e kthen realitetin si antenë – kah t’ia do zemra.

  • Dimri do të jetë romantik.
    Nganjëherë do të ngrohemi – nganjëherë do të ëndërrojmë.

Kur s’ka zjarr, do të ngrohemi me dashuri reale apo imagjinare, me fjalë të buta e me kujtime për diellin.

Dimrit, toka është më afër diellit, verës më larg:
Pra, sa më afër diellit – aq më ftohtë.
Sa më larg diellit – aq më ngrohtë.
Kjo është magjia – si ironia: sa më ngusht – aq më shlirë.

P.S. Krahas kuzhinës popullore do të ngritet edhe ‘Qendra për ngrohje popullore’, ku secili shqiptar do të ketë të drejtë të ngrohet 2 orë në ditë, sipas dy numrave të fundit të letërnjoftimit.

Të ngjashme