Të gjitha fazat jetësore përmes të cilave kalon çdo njeri, janë të frikshme, të mbushura me dilema dhe pasiguri, misteri i të cilave na shkakton frikë. Dikush trembet me së shumti nga një fazë, e dikush nga një fazë tjetër. Rregullat jetësore janë të tilla që nuk mund të shmangesh asnjë prej fazave të saja. “Nëse nuk kalojmë më sukses një stad, e kemi të pamundur të kalojmë në stadin pasardhës”, thotë Frojdi. Është njësoj si të thuash “dua të provoj emocionet e diplomimit, pa provuar më parë emocionet e hyrjes në provim” ose “dua të provoj ndjesitë që të dhuron noti, pa hyrë më parë në ujë”.
Pavarësisht fazave që na ndajnë dhe na bashkojnë në frikërat dhe dëshirat tona, duket sikur masivisht, sidomos në kulturën tonë, i trembemi më së shumti një faze. Asaj të “plakjes”. Kjo vihet re nga bisedat e përditshmerisë tonë.
Është e çuditshme dhe njëkohësisht e dhimbshme, të dëgjosh persona rreth të 40-ve apo dhe me të rinj të thonë: “Kur të plakem, me siguri fëmija im do të më çojë në azil”. A janë të vetëdijshëm këta prindër që flasin në mënyrë të tillë, se në njëfarë mënyre janë duke thënë “unë kam dështuar në rolin tim të prindërimit”. Keqardhja bëhet akoma më e thellë teksa dëgjon një vajzë rreth të 20-ve të thotë: “Unë nuk dua të plakem, më mirë të kryej vetëvrasje”. Por pse mendojmë dhe shprehemi kështu?
Fillesat e stadit të pleqërisë, sipas Eriksonit (integriteti kundrejt dëshpërimit), duket sikur fillojnë më herët në kulturën tonë. Mungesa e studimeve për këtë target grup tregon mungesë interesi dhe papërfillshmëri ndaj kësaj faze të jetës. Moshimi nuk është thjeshtë biologjik, por mënyra sesi perceptohet dhe pozicionohet në strukturën shoqërore e bën të duket e tillë. Nëse ne si shoqëri nuk ofrojmë një pozicion komod për të moshuarit, sigurisht që do jemi ne ata të cilët do t’i frikësohemi moshimit. Mitet për të moshuarit duket sikur kanë hedhur thellë rrënjë në jetën e tyre. Po pse ndodh kjo? Sepse ne jemi të aftë të brendësojmë mendimin e tjetrit. Nëse na thuhet se në një moshë të caktuar jemi të paaftë për të memorizuar gjera të reja, do fillojmë të ndjejmë paaftësi në këtë drejtim edhe pse shkencërisht mund të jetë vërtetuar e kundërta.
Ne mund të kuptojmë aspektet individuale të moshimit vetëm duke dëgjuar historitë personale mbi eksperiencat e jetës. Të plakesh mirë nuk do të thotë vetëm mungesë patologjish, por edhe arritje e të ndjerit kënaqësi në të jetuarit të jetës duke pasur pjesëmarrje sociale dhe burime psikologjike.
A është ndokush që e shikon plakjen jo vetëm si një proces normal të jetës, por edhe si një bekim?!
Roli i gjyshit luhet në kohen kur njeriu është i moshuar. Mosha në ketë rast është privilegj. Kjo, sepse pikërisht për shkak të saj njeriu është i kultivuar nga çdo pikëpamje, i mësuar dhe i rrahur nga jeta, i pajisur me përvojë jetësore personale, me kapacitete që janë më vlerë sociale. Të moshuarit kanë pronë të shkuarën e tyre, që është një pasuri që nuk humbet kurrë. Çdo arritje e jetës së tyre në moshën e pleqërisë është kapital njerëzor, i akumuluar që u duhet , u shërben dhe që mund ta shfrytëzojnë me të rinjtë.
Kush nga ne është ulur me dashuri dhe mirënjohje pranë një të moshuari për ta pyetur si ndihet?
Shembja e urave të komunikimit me të moshuarit bën që të krijojmë iluzione nga më të ndryshmet për ta. Iluzionet tona bëhen shkak shpeshherë edhe në cenimin e lumturisë së tyre dhe shtimin e frikërave dhe pasigurive tona.
(Autorja është psikologe këshillimi)