Frikë për sigurinë, Sllovenia dërgon policë për kontrolle në kufijtë me Kroacinë e Hungarinë

Prishtinë | 21 Tet 2023 | 15:42 | Nga Ekonomia Online

Sllovenia të shtunën dërgoi policë në pikëkalimet kufitare me Kroacinë dhe Hungarinë për të parandaluar rreziqe të mundshme ndaj sigurisë, duke shkaktuar kolona, përderisa udhëtarët prisnin që autoritetet t’ua kontrollonin dokumentet.

Qeveria sllovene të premten kishte vendosur që të zbatonte kontrolle të përkohshme kufitare deri më 30 tetor, pas një mase të ngjashme nga Italia, e cila vendosi kontrolle kufitare në pikëkalimet kufitare me Slloveninë për ta përmirësuar sigurinë e brendshme, raporton agjencia “Reuters”.

Policët sllovenë u dislokuan në 14 pikëkalime kufitare me Kroacinë dhe Hungarinë, raportoi agjencia sllovene e lajmeve, STA. 18 pikëkalime të tjera nuk do të kenë prani të përhershme të policisë.

Udhëtarët po prisnin në kolona për t’iu kontrolluar dokumentet në pikëkalimin në Obrezje, në kufirin me Kroacinë, ku nuk kishte pasur kontrolle që nga 1 janari i këtij viti, kur Kroacia iu bashkua zonës Schengen.

Katica Fjacko, e cila po udhëtonte nga kryeqyteti kroat, Zagrebi, tha se ishte nisur më herët për rrugë për shkak të kontrolleve kufitare. “Tani ky është kaos më i madh, njerëzit janë të brengosur”- tha ajo.

Duke e shpjeguar vendimin për vendosjen e kontrolleve kufitare, Qeveria e Sllovenisë i përmendi rreziqet ndaj sigurisë, që mund të vijnë nga ata që i quajti “anëtarë të lëvizjeve e grupeve të ndryshme terroriste e ekstremiste”, që lëvizin nga zonat e konfliktit të armatosur dhe që synojnë të arrijnë në Evropë.

Të ngjashme